KLSH zbulon kaosin në menaxhimin e parqeve kombëtare

Pas një inspektimi për eficencën në të cilën administrohen zonat e mbrojtura dhe parqet kombëtare, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka gjetur një kaos total në administrimin dhe mbrojtjen e tyre. KLSH vëren se këto zona janë shfrytëzuar pa kriter për aktivitete minerale dhe ndërtim HEC-esh në kundërshtim me ligjet në fuqi. “Ndërtimi i HEC-eve në kundërshtim me legjislacionin dhe Konventën për Ruajtjen e Jetës së Egër europiane dhe Habitateve Natyrore (Konventa e Bernës), por edhe ligjet shqiptare për mbrojtjen e specieve të Listës së Kuqe”, sqaron KLSH në raportin përmbledhës pas inspektimit. KLSH vëren se nuk ka standarde dhe kritere mbi përcaktimin e sipërfaqes së parkut natyror në hektarë që duhet të mbulojë një punonjës i ADZM si roje mjedisore, punonjës i menaxhimit dhe punonjës i monitorimit në vartësi të llojit të parkut natyror kombëtar, faunës dhe florës në përbërje të saj, terrenit, shtrirjes së tij, etj.
Gjetjet e KLSH tregojnë se stafi që menaxhon këto zona ka mangësi në formimin profesional dhe detyrat e tyre nuk janë të mirëpërcaktuara. Gjithashtu janë të pakta botimet njohëse e prezantuese të peizazheve apo për parqet kombëtare, të faunës e florës së rrallë, shoqërimet e rralla, bimët endemike, nuk njihen sa duhen monumentet e natyrës, pyjet e kullotat, etj., mungojnë si fletëpalosje, albume, guida turistike, monografi, libra të vegjël etj.
Administrata e menaxhimit të parqeve kombëtare e ZM, nuk mund të bëjë një numërim real dhe të plotë të vizitorëve dhe mundësia e vendosjes së tarifave dhe krijimit të të ardhurave nga vizitorët që vizitojnë parqet kombëtare është e vështirë dhe deri më tani nuk ka gjetur zgjidhje. Subjektet private që ushtrojnë dhe kanë ushtruar aktivitet në parqet natyrore kombëtare nuk derdhin të ardhura në administratat zonale apo në qendër, megjithëse janë përdoruesit dhe përfituesit më të mëdhenj të kësaj pasurie natyrore të trashëguar.
Për parqet natyrore kombëtare nuk janë kryer studime për vendosjen e standardeve mbi realizimin financiarisht të mirëfunksionimit të sistemit të menaxhimit të parqeve natyrore kombëtare në tërësi dhe sipas llojit të tyre. Për parqet natyrore kombëtare nuk janë kryer studime mbi koston reale në total (vlera në para) për mirëmenaxhimin e sistemit të tyre dhe nuk janë kryer studime dhe vendosur tregues mbi matjen e arritjes së objektivave të sistemit të menaxhimit të tyre në mbrojtje të biodiversitetit, habitateve, popullatave të specieve të florës e faunës së egër dhe ekosistemeve natyrore si trashëgimi natyrore që i përket brezave. Ende nuk ka një përcaktim të saktë të kufijve kadastralë dhe të pronësisë shtetërore të parqeve natyrore kombëtare.