Ish-ekipi i Berishës eliminon Tevezin nga Champions-i

Paratë jo gjithmonë të bëjnë fitues në futboll dhe kjo u vërtetua edhe sot. Shangai Shenhua, edhe pse kishte në skuadër lojtarin më të paguar në histori, Karlos Tevez, u eliminua nga Champions-i aziatik nga Brisbejn Roar, ekipi australian ku vite më parë ka luajtur sulmuesi kosovar Besart Berisha.
Miqtë bënë surprizën, duke triumfuar 2-0 me golat e shënuar në fillim dhe në fund të pjesës së parë. Përveç argjentinasit, në radhët e kinezëve aktivizohet edhe nigeriani Obafemi Martins, ish-sulmuesi i Interit.
Eliminimi i Shangait është i pari për një skuadër kineze nga play off-i i Champions-it aziatik që prej 14 vitesh.
Pas suksesit, Brisbejnit nuk i shpëtoi rasti për të thumbuar kundërshtarin dhe Tevezin në veçanti. “Karlos kush? Një paraqitje e klasit botëror konfirmon kualifikimin tonë në AFC Champions League”, ishte postimi i australianëve në rrjetet sociale.
Buxheti vjetor i klubit nga Brisbejni është rreth 1.7 milionë euro, aq sa Karlos Tevez fiton në më pak se tri javë te Shenhua.