Dyqani i mbyllur prej 3 vitesh, OSHEE dërgon pronarit fatura aforfe

Ish-Kryeministri Berisha denoncon një rast flagrant të vjedhjes së qytetarëve nga OSHEE nëpërmjet faturave aforfe. Berisha ka publikuar mesazhin e një qytetari, i cili shkruan se ka 2-3 vjet që e ka mbyllur dyqanin dhe energjia është ndërprerë, ndërsa OSHEE i dërgon fatura aforfe. “Vjedhja e qytetarëve nga OSHEE! Qytetari dixhital denoncon: Faturat aforfe nga 1500 kw nga OSHEE për dyqane të mbyllura 2-3 vjet më parë. Rama ka shndërruar OSHEE-në në organ terrori vetëm për shkak të pamundësisë për të paguar faturat e tij. Janë bërë në vitin 2015, 22 mijë arrestime dhe gjatë këtyre 2 viteve të fundit kanë bërë vetëvrasje 12 qytetarë!”, shkruan Berisha në një postim në Facebook.
“Ndërkohë, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim në një studim rajonal të saj ka konstatuar dështimin e plotë të pseudoreforemës energjetike Rama-Gjiknuri. Sipas sondazhit, mbi 13.6 për qind e ndërmarrjeve shqiptare cilësojnë aksesin e vështirë, ndërprerjet e energjisë dhe çmimin e saj të lartë si problemin më të madh për të bërë biznes, pas informalitetit, shkruan Syri.net. Ndërkohë që po ky studim i BERZH-t tregon se, në asnjë vend tjetër energjia nuk është problem kaq i rëndë për sipërmarrjen se sa në Shqipëri.
Në Serbi vetëm 0.2 për qind e bizneseve listojnë energjinë si problemin e tyre kryesor, në Bosnje shifra është 1.5 për qind, ndërsa në Malin e Zi vetëm 1.8 për qind. Çmimi vetëm rritet. Tre vitet e fundit, çmimet e energjisë për biznesin janë rritur me ritme të shpejta, duke rënduar kostot e prodhimit dhe duke vënë në vështirësi ndërmarrjet deri në falimentim. Sipas të dhënave zyrtare nga Enti Rregullator i Energjisë, në vitin 2015 u rrit me 20 për qind gjer 85% nga 7 lekë për kilovat që ishte në 13.6 lekë për kilovat”, shkruan Berisha.
“Mirmëngjes! OSHEE na ka sjell fatura afrofe nga 1500 kw për dyqane që i kemi të mbyllur ka 2-3 vjet dhe energjia është ndërprerë. Ju lutemi bëjeni problem në seancën e radhës në Parlament dhe ruajeni anonimitetin”, shkruan qytetari.