Bylykbashi: PS varrosi reformën zgjedhore

PD nuk pranon asnjë ndërhyrje në reformën zgjedhore nëse nuk pranohet votim dhe numërim elektronik. Oerd Bylykbashi e konsideron farsë, kërkesën e bashkëkryetarit socialist për të shtyrë afatin e Komisionit të Reformës Zgjedhore. Socialistët bënë përpjekjen e radhës për reformën zgjedhore, duke kërkuar shtyrjen e afatit të komisionit të posaçëm parlamentar edhe me një muaj, por cila është përgjigjja që merr Taulant Balla nga homologu demokrat. “Është vetëm një përpjekje farsë për të treguar që ne e duam, ndërkohë që e kanë treguar me të gjitha format pse nuk e duan reformën. Janë ata që për herë të parë vunë veton për të bllokuar një çështje që zgjidh mosmarrjen e kartave të identitetit, moskorruptimin e komisionerëve, mosvotimin shumë herë në qendrat e votimit, mosvjedhjen e votave gjatë numërimit, që në këtë rast është votimi elektronik… Nëse ne themi një muaj, dy muaj, tre muaj që nuk ka kohë konkluzioni është vetëm një: nuk duan zgjedhje të lira e të ndershme”, është shprehur Bylykbashi për “ABC News”. Ato që kërkojnë të zgjidhin socialistët e që në fakt një pjesë e mirë janë dhe në platformën e demokratëve, konsiderohen dytësore prej këtyre të fundit. Bylykbashi tha se reforma zgjedhore është e varrosur përderisa ajo nuk zgjidh problemin kryesor të zgjedhjeve, garantimin e votës, thotë ai. “Sot nuk ka më zgjidhje tjetër që shqiptarët të besojnë se zgjedhjet janë të ndershme. Kështu që propozimet e zotit Balla nuk janë gjë tjetër veçse një farsë ndërkohë që thelbi i reformës është vrarë… Për çfarë do të shtyhet afati? Për të siguruar se formularët e deklarimit të financimit të partive apo ndonjë çështje tjetër minore do të jetë më e saktë, ndërkohë që çështja kryesore është shitblerja e votës me paratë e krimit të organizuar, trafikut të drogës apo të korrupsionit? Me cilin formular bashkëkryetari socialist do të zgjidhë që këto para kriminale do të deklarohen në mënyrë transparente tek autoritetet shtetërore?”. Lidhur me qëndrimin e OSBE-së, se votimi elektronik nuk është zgjidhje, Bylykbashi thotë se ndërkombëtarët çertifikojnë standardet në fund të procesit, nuk vlerësojnë kohën. “Ajo që po rrezikojmë është që zgjedhjet nuk do të kenë standarde kaq. Ndërkombëtarët do të kërkojnë pikërisht këtë nesër pavarësisht kohës; do të thonë edhe këtë që autoritetet shtetërore shqiptare, që do të thotë kjo qeveri, nuk mori masa që të trajtonte 53 rekomandimet e OSBE-ODIHR gjatë 4 viteve të fundit”. Prej muajsh Bylykbashi po punon në Durrës si kryetar i komanduar i demokratëve atje dhe sipas tij, katalogu i gjithë problematikës që rrezikon zgjedhjet hapet tek ky qytet. “Durrësi është kryeqyteti i krimit të organizuar; sot bandat më të rrezikshme janë të përqendruara në Durrës, papunësia është padiskutim masive, krimi i zakonshëm është përditë në rrugë, trafiqet e drogës nuk janë më vetëm në malet e Krujës, tashmë mbillet hashashi edhe në kapanonet në periferi të Durrësit me lejen e policisë, me drejtimin e policisë gjithashtu; abuzimi me fondet publike dhe korrupsioni ndërkohë që qytetarët mbyten me çerek ore shi apo dikush vdiq vetëm se nuk kishte ku të qëndronte dhe bashkia shpenzon 6 milionë dollarë për shpenzime që janë fare të panevojshme për zbukurime urbanistike”.