Ballina Kryesore Burri i Avokates së Shtetit, avokati i kompanisë CEZ!

Burri i Avokates së Shtetit, avokati i kompanisë CEZ!

Armand MAHO

Avokatja e Shtetit Alma Hiçka, e ngarkuar nga Edi Rama për të mbrojtur interesat e shtetit shqiptar në çështjen e CEZ, ka konflikt interesi, pasi burri i saj ka qenë avokati i kompanisë përgjatë viteve që ajo ka ndenjur në Shqipëri. Zyra e burrit të Aliçkës, ka qenë ajo që ka mbrojtur kompaninë në gjyqet që kjo e fundit ka pasur me shtetin shqiptar, disa nga vendimet gjyqësore i disponon dhe gazeta “RD”. Nuk është mjaftuar me kaq, por në grupin që ndjek këtë çështje, Hiçka ka punësuar dhe avokatin tjetër të zyrës së bashkëshortit të saj punonjës në Avokaturën e Shtetit, Armër Juka. Duhet theksuar se Hiçka është nga të parat emërime që ka bërë Rama sapo mori karrigen e kryeministrit më datë 5 nëntor të vitit 2013, duke e konsideruar si “kryembrojtëse e interesit të shtetit”, por që me sa duket është emëruar në atë post për të mbrojtur pazaret dhe interesat e Edi Ramës dhe enturazhit të tij politik.

Konflikti interesit

Në 6 dhjetor, Alma Hiçka do pyetej për këtë çështje në Komisionin Hetimor për CEZ, duke mohuar të ishte në dijeni që bashkëshorti i saj të ishte avokat i kompanisë. Por kjo pak e besueshme ka qenë… Kjo, sepse i njëjti avokat ka qenë dhe në kohën kur DIA paditi kompaninë CEZ për mosshlyerje detyrimesh. Por Alma Hiçka nuk ka mundësi të mos jetë në dijeni të faktit, se në këtë çështje mes dy kompanive, bashkëshorti i saj dhe vetë ajo kanw qenë avokat i të dy palwve në proces, pra dhe i të paditurve dhe i paditësve. Si ka mundësi që zonja Hiçka nuk e di faktin që vartësi i saj, dhe anëtar i grupit të punës, avokat i zyrës Hajdari & Haxhia, nuk e di që ka përfaqësuar prej vitesh CEZ në të gjitha shkallët e gjyqësorit. Nuk e di zonja Hiçka që bashkëshorti i saj ka qenë përfaqësues me të drejta të plota, i autorizuar nga administratori i CEZ Josef Hejsek, dhe e ka mbrojtur në gjyqet që kompania ka pasur me tatimet e Tiranës, dhe për çdo konflikt tjetër. Pak si e vështirë të besohet kjo, kur ka qenë dhe drejtuesja e grupit të punës për këtë çështje, dhe ka shqyrtuar dhe të gjithë dokumentacionin përkatës. Vetëm në rast se ka harruar se, bashkëshorti i saj e ka emrin Envi dhe ndajnë të njëjtin mbiemër dhe jo vetëm! Si ka mundësi që nuk e ka parë emrin e bashkëshortit të saj në vendimet e gjykatave, apo në çështjen gjyqësore mes DIA dhe CEZ, ku ai në të dyja rastet ishte gjykatës së bashku me Armër Jukën. Nga ana tjetër, zonja Hiçka mund të na thotë se sa herë ka rastisur që bashkëshorti i saj dhe institucioni që ajo përfaqëson janë përplasur bashkë në Gjykata, dhe sa herë vendimet janë marrë në dëm të shtetit shqiptar? Ndoshta janë përgjigje që do hidhnin edhe më shumë dritë, se si funksionon rrjeti Hiçka në Gjykata dhe Avokaturën e Shtetit!

Mbrojtëse e aferave

Ështe e qartë se Hicka a është vënë në atë pozicion me një qëllim të qartë, që të përmbushë një prej skandaleve më të mëdha në historinë e demokracisë, një aferë që i ka kushtuar shtetit shqiptar një dëm prej 500 milionë eurosh. Edi Rama jo më kot ka përzgjedhur zonjën në fjalë, që të mbyllte pazaret e tij me këtë çështje, duke ditur se ishte bashkëshorti i saj që i njihte fare mirë allishverishet e ndodhura mes kompanisë dhe DIA, administratori i së cilës ndodhet në burg. Pas shërbimit të radhës nga ana e bashkëshortes së tij në adresë të Kryeministrit, emri i Envi Hiçkës, vërehet në të gjitha çështjet e rëndësishme, siç është dhe rasti i arbitrazhit për ndeshjen me Serbinë, ku avokati ynë në arbitrazh ishte pikërisht bashkëshorti i Almës, Avokates së Shtetit. Kjo është e vetmja avokate, e cila zbaton verbërisht urdhrat e Ramës, është e vetmja avokate, e cila këshillon të hiqet dorë nga çështja, ndërkohë që avokati i kontraktuar në arbitrazh rekomandon vazhdimin e çështjes, është kopertura e të gjitha punëve të zeza të kësaj qeverie, e cila kërkon të mbahet pas dëshmive të psikopatëve si Romeo Kara, apo figurave me integritet të dyshimtë që në gjyqësor si Alma Hiçka dhe bashkëshorti i saj, të cilët po ja shohin hajrin pushtetit dhe zbatimit të urdhrave të liderit global.

A e kërcënoi Hiçka, avokatin në arbitrazh të mbyllte gojën?

Dje, në Komisionin Hetimor për çështjen CEZ, Avokatja e Shtetit ka shfaqur një arrogancë të pazakontë, duke imituar deri në detaje shefin e saj Rama, i cili ka një histori jo të zakontë me këto komisione që nga koha kur ka qenë kryetar Bashkie. Hiçka, jo vetëm që nuk ka pranuar, por në mes të seancës, është shfaqur Eduard Shalësi, deputeti socialist i cili e ka urdhëruar dëshmitaren që të ngrihet dhe të dalë nga salla, gjë që ka sjellë ndërprerjen e punës së komisionit. Në fakt, ky veprim tregon qartë se nga i merr urdhrat direkt Avokatja e Shtetit, dhe se përse është vendosur në atë post. Meqenëse dje në mbledhjen e Komisionit Hetimor ajo shfaqi një sjellje arrogante, por duket se nuk e ka për herë të parë. Me ketë rast, duam t’i bëjmë një pyetje tjetër zonjës Hiçka! A ka qenë ajo që ka kërcënuar avokatin e Shqipërisë në Arbitrazh, përfaqësuesin e firmës Derain&Ghavari, menjëherë pas publikimit të shkresave të tyre, ku këshillohej qeveria shqiptare të mos hiqte dorë nga kërkesa në lidhje me detyrimin që kompania CEZ duhet t’i shlyente shtetit shqiptar? Në rast se po, kush e urdhëroi, dhe a është “këshilluar” nga ana e saj  avokati ynë të heqë dorë nga kjo çështje? Nga e merr zonjusha, një zyrtare e emëruar guximin të sillet me arrogancë përpara të zgjedhurve siç janë deputetët? A ka qenë ajo në dijeni të këtyre detyrimeve dhe përse ka vepruar kundër interesave të vendit? Mbi çfarë parimesh Avokatja e Shtetit tërhiqet nga një çështje e fituar, dhe interesat e kujt përfaqëson ajo?

KLSH: Hiçka dhe Gjiknuri duhet të përballen me ligjin

Kreu i KLSH-së, Bujar Leskaj e ka konsideruar të padrejtë vendimin e Prokurorisë për pushimin e hetimeve për ministrin e Energjisë, Damian Gjiknuri dhe Avokates së Shtetit, Alma Hiçka. Lidhur me dosjen e CEZ “Avokati i Shtetit si titullar i institucionit i ngarkuar me nënshkrimin e marrëveshjes ka pasur detyrimin jo vetëm të mos nënshkruante një marrëveshje tërësisht të disfavorshme dhe në shpërfillje të plotë të pretendimeve dhe interesave të shtetit shqiptar, por edhe të paralajmëronte dhe informonte jo vetëm anëtarët e grupit të punës, por dhe institucionet e tjera të shtetit si Këshillin e Ministrave dhe Kuvendin në lidhje me të gjithë përcaktimet në marrëveshje ku qartazi rrezikoheshin interesat e shtetit shqiptar. Nuk ekziston asnjë dokument që e ka bërë. S’u morën në konsideratë opinionet e dy ekspertëve dhe konsulentit ligjor ndërkombëtar Deroi&Garavi, për konsulencën e të cilëve shteti shqiptar pagoi 1.5 milionë euro. Madje, raporti i konsulentit të BDO-së nuk është konsultuar as nga anëtarët e grupit të punës”. Gjiknuri dhe Hiçka u paditën në Prokurori nga Kontrolli i Lartë i Shtetit me akuzën se me negociatat për zgjidhjen me mirëkuptim të mosmarrëveshjeve me kompaninë çeke, CEZ i shkaktuan shtetit shqiptar një dëm prej 479 milionë eurosh.

Exit mobile version