Si e zbardhi Balili Europën me kokainë

Klement Balili nuk rezulton thjesht një baron rajonal droge apo siç cilësohet nga mediat greke si një “Eskobar i Ballkanit”. Prokuroria e Përgjithshme shqiptare publikoi dje një element mjaft të rëndësishëm që zbulon se “Eskobari” rezulton të jetë një nga krerët kryesorë të një organizate kriminale të trafikut të kokainës që kishte shtrirë aktivitetin e saj në të gjithë vendet e Bashkimit Europian. Çështja “Balili” dhe vijimësia e pocesit gjyqësor ndaj deputetit Mark Frroku kanë qenë dy nga temat që janë diskutuar mes Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla dhe homologut të tij belg, Frederic Van Leeuw.
Konkretisht gjatë takimit të zhvilluar në Bruksel me Prokurorin Federal të Belgjikës, Frederic Van Leeuw, kreu i organit shqiptar të akuzës, ka përmendur në takim faktin që, “Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Shqipërisë diskutoi pak ditë më parë për problematikën me narkotikët, nisur edhe nga një rast konkret, hetimi për të cilin ka nisur pikërisht nga autoritetet e Belgjikës”.
Fakti që hetimet ndaj Balilit, kanë nisur fillimisht nga Belgjika dhe jo nga Greqia, siç pohon për herë të parë Llalla, qartësisht le të kuptohet se, Balili ka patur një rol kyç në trafikun me tonelata të kokainës në BE dhe nuk ka qenë thjesht një trafikant hashashi rajonal. Aq sa me të drejtë, ai mund të konsiderohet si “Eskobari i Europës” më shumë se sa i Ballkanit.
Burime nga Prokuroria e Përgjithshme e pohuan këtë fakt, duke saktësuar gjithashtu se roli i Balilit në trafikun ndërkombëtar të kokainës u zbulua fill pas arrestimit në Bruksel nga agjentët e EUROPOL-it, të dy vëllezërve nga Saranda, Dhimitër dhe Xhevahir Poti, të cilët dyshohen se drejtonin trafikun e kokainës dhe hashashit në shtete të ndryshme të BE, për llogari të Klement Balilit.
Dhimitër Poti së bashku me vëllanë e tij Xhevahirin, zotëronin një kompani transporti në Belgjikë “RDGL Group” dhe një kompani ilaçesh në Shqipëri të quajtur “Chem Prod”. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se, Poti ka hapur në Bullgari dhe një tjetër kompani transporti të quajtur “Friends Trans LTD”, vetëm 9 muaj pas themelimit të shoqërisë në Belgjikë dhe se funksioni i saj ka qenë transporti i mallrave, por që në fakt këto firma përdoreshin për të krijuar një maskim dhe mbuluar aktivitetin e drogës në të gjithë BE-në.
Ndërkohë që disa vite më parë, Dhimitër Poti në 2008 në Shqipëri, ka regjistruar kompaninë e ilaçeve dhe pjesëve motorike “Chim Prod” në mars të vitit 2008, por e kishte likuiduar dhe mbyllur dy vjet më pas. Kamioni i kapur me 23 kilogram kokainë në Britaninë e Madhe rreth 1 vit e gjysëm më parë zotërohej nga dy kompani, koka e tij i përkiste shoqërisë greke “Focus International” me pronar Vasilio Thimi, ndërsa rimorkiatori i përshtatur për drogën ishte pronë e “Friends Trans LTD” të Dhimitër Potit. Kjo është e vetmja sasi kokaine që i është kapur kësaj organizate, pavarësisht se hetimi i përbashkët mes policisë greke, DEA¬-s amerikane dhe Europolit, ka pasur të dhëna për trafik në sasi të mëdha të kokainës në vendet e BE.
Po ashtu, Balili ka trafikuar tonelata heroine nga Ekuadori drejt vendeve të Bashkimit Europian gjatë dy viteve që ishte drejtor i Transportit Rrugor të Sarandës. Balili u vu në shënjestër të DEA-s amerikane për shkak të trafikut të tonelatave të heroinës nga Ekuadori në drejtim të Evropës dhe deri në New York. Kjo ka bërë që Balili të vihet në gjurmim dhe të ketë një dosje prej 10 mijë faqesh nga agjencitë ndërkombëtare ligjzbatuese.

R.POLISI