Shkatërrimi i RTSH, Gëllçi largon në mënyrë arbitrare 3 kompozitorët e shquar

Drejtori i Përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar, Thoma Gëllci ka shkarkuar në mënyrë të paprecedent tre nga figurat më të shquara të artit shqiptar, tre kompozitorët e shquar Shpëtim Saraçi, Edmond Zhulali dhe Alfred Kaçinari. Kreu i Departamentit të Kulturës në PD, Arben Skënderi, përmes një deklarate për shtyp dënoi dje aktin arbitrar të drejtorit të Ramës, ndërsa tha se shkarkimi i tri figurave të shquara të RTSH është në kundërshtim flagrant me ligjin.
“Në valën e shkatërrimit të Radio Televizionit Shqiptar, tre kompozitorët e shquar Shpëtim Saraçi, Edmond Zhulali dhe Alfred Kaçinari, të cilët kanë bërë histori në krijimtarinë tonë, pa asnjë lajmërim, në kundërshtim të hapur me ligjin, si dhe në shkelje flagrante të integritetit të tyre profesional, pushohen nga puna pa asnjë mundësi reagimi apo alternativë për të vazhduar kontributin e tyre artistik. Drejtori i Përgjithshem i Radio Televizionit Shqiptar, Gëllci, shkatërron kështu gjithçka që është ndërtuar me aq mund, duke shkrirë totalisht redaksinë e muzikës, e vetmja strukturë tejet e nevojshme për institucionin që mund të përballonte denjësisht kërkesat e produksioneve, si dhe e vetmja strukturë artistike që ende vazhdonte të mbikëqyrte kualitetin e krijimtarisë”, u shpreh Skënderi.
Duke denoncuar këtë akt arbitrar, Skënderi u bëri thirrje qytetarëve se kjo është një arsye më shumë për t’iu bashkuar protestës së 18 shkurtit. “Denoncojmë fort veprimet e kësaj natyre, të cilat pa asnjë konsultim, dëmtojnë rëndë punën e institucionit, si dhe dinjitetin e tri kompozitorëve të shquar, të cilët janë pjesë e historisë së këtij institucioni kombëtar e publik. Kjo është një padrejtësi me të cilën komuniteti i artistëve dhe opinioni publik nuk mund të pajtohen. Kjo është një arsye më shumë për të rezistuar përballë klikës që ka zaptuar çdo pushtet dhe një motiv për këdo që mbron vlerat, të bashkohet me protestën e madhe të 18 shkurtit”, u shpreh kreu i Departamentit të Kulturës në PD.