Ballina Kryesore Rilindja shet Shqipërinë për 1 miliard euro

Rilindja shet Shqipërinë për 1 miliard euro

Jorida Tabaku

Çfarë i ka mbetur kësaj mazhorance sot pas gjithçkaje ka ndodhur në këto katër vjet? Çfarë i ka mbetur një qeverie që as e aftë të mbledhë qeverinë në mbledhje nuk është? Çfarë ka mbetur pa tenderuar e cila taksë ka mbetur pa rritur? Cili ka mbetur pa kërcënuar e intimiduar? Në më pak se katër vjet kanë koncesionuar çdo sektor me rëndësi dhe të ardhura të larta nga buxheti i shtetit përmes kontratave abuzuese dhe tërësisht në shërbim të interesave personale të një grushti individësh. Kanë shpenzuar mbi 500 mln euro për t’ua shpërndarë xhepave të bizneseve të tyre në formë koncesioni dhe kanë sjellë në shërbim të publikut zero shërbime. Kanë dhuruar në fushën e shëndetësisë gati 300 mln euro, ndërkohë që kemi parë se familjet shqiptare shpenzojnë 380 mln euro nga xhepat e tyre për ta marrë shërbimin nga privati. Kanë dhuruar në formën e koncesioneve 65 mln euro për Rrugën e Kombit megjithëse për tre vjet me radhë kanë rritur taksën e qarkullimit me justifikimin se do të përmirësonin mirëmbajtjen e rrugës. Kanë dhuruar përmes formës PPP apo koncesionare mbi 10 mln euro tek Crown Agents, ndërkohë që gjobisin pafund dhe pa të drejtë sa e sa biznese, ndërkohë që administrata tatimore dhe doganore vazhdon të ushtrojë presion mbi lustraxhinj e shitës perimesh. Si përfundim: për një mandat katërvjeçar shqiptarët janë ngarkuar me 2,5 mld USD borxhe, bizneset pranë qeverisë kanë përfituar thuajse 1 mld euro koncesione dhe PPP. Rezultati i kësaj politike rilindase është zero shkolla të reja, zero rrugë të reja, zero shërbime të reja, vetëm palma, beton, qendra qytetesh të boshatisura dhe një mal i madh borxhi për t’u shlyer. E pasi kanë shfrytëzuar në maksimum gjithçka të mundur kanë vendosur të prodhojnë një hile të fundit. Kanë vendosur që të ardhmen e shqiptarëve ta lënë peng për hir të ëndrrave të tyre, duke i vendosur çmimin “One bilion”. Oferta më e fundit e qeverisjes është të shiturit e të ardhmes sonë për interes të pasurimit të një grushti njerëzish sot. Dhe kjo vjen sepse në këtë mandat vjedhja jo vetëm ka qenë e madhe, por mbi të gjitha edhe bazat e një ekonomie të dobët u shkërmoqën, duke e çuar vendin në nivelin më të ulët të konsumit dhe inflacionit në 15 vitet e fundit, vetëm 1.3%.

Niveli i varfërisë, 48% e popullsisë

Duke çuar investimet e huaja në nivelet më të ulëta aq sa vetëm një shtet të ri si Kosova, kemi lënë pas vetes sonë. Duke e çuar nivelin e varfërisë në 48% të popullsisë që jeton me 5$ në ditë! Nën këtë klimë sociale dhe ekonomike, qeveria duket e dorëzuar dhe pa ide. Oferta e saj ndaj bizneseve ngjason më shumë me një tender të radhës për të cilin ajo premton paratë pas 2-3 viteve duke rritur automatikisht borxhin publik të fshehur. Fryma e propozimit 1 mld euro është vetëm imitim i turpshëm i politikave të ndjekura nga qeveritë e Greqisë, Portugalisë dhe Irlandës që jo rastësisht janë sot në listën e vendeve që rrezikojnë falimentimin. Shihni rastin e Greqisë, e cila pësoi një kolaps të tërë ekonomik dhe financiar vetëm si pasojë e këtyre politikave të makutërisë që nuk prodhuan asnjë ekonomi më të shëndoshë dhe asnjë gjendje sociale të mirë. Gjithsesi, mazhoranca pretendon se këtu nuk kemi të bëjmë me një borxh të fshehur, pretendon se kjo do të çlirojë tregun dhe do t’i japë frymë atij përmes parave të injektuara në treg. Ato po ju gënjejnë, njësoj siç gënjyen kur thanë se taksa progresive do t’ju jepte rrogën e 13 apo do të taksonte më pak 97% të shqiptarëve. Po ju gënjejnë njësoj siç gënjejnë kur flitet për rritjen e ekonomisë dhe atë të konsumit. Për ta kuptuar le të marrim një shembull. Qeveria ka dhënë me koncesion analizat e check up dhe është zotuar që t’i paguajë koncesionarit miliona euro vit për vit pa e vrarë mendjen për numrin e atyre që kryejnë vizita. Kësisoj pagesat që qeveria kryen ndaj kompanisë në fjalë janë përherë shpenzime në buxhetin e shtetit, që do të thotë para të taksapaguesve shqiptarë që shkojnë për mbajtjen në këmbë të kësaj kompanie, duke rritur në këtë mënyrë edhe borxhin, i cili do të shfaqet me vonesë. Ka qenë kjo arsyeja se përse kësaj qeverie FMN i kërkoi një informacion të qartë dhe të saktë me investimet që do të kryente përmes PPP-ve, por ndër të tjera ishte edhe kjo një arsye se përse MF iu bë një kërkesë për të paraqitur se deri në ç’pikë janë investimet kapitale në vend. E nga këto informacione ne mësojmë se investimet infrastrukturore të qeverisë në rrugë janë më të ulëtat në këto 20 vitet e fundit.

Shifrat e uljes së investimeve

Për vitin 2016 ishin planifikuar fillimisht 59 mld lekë që ishte një vlerë shumë më e ulët se sa viti 2007, ndërkohë që realizimi i buxhetit për investime ishte 3% më i ulët se sa viti 2015 duke i rrudhur me 60 mln euro. Janë këto tabela që tregojnë dhe dëshmojnë se qeveria nga 11 akse rrugore në ndërtim që gjeti ka marrë përsipër vetëm 2 prej tyre t’i përfundojë deri në vitin 2019 pa na shpjeguar se përse duhet të mos ndërmerrte këto investime në këto akse kur edhe borxhin e çoi nga 62% në 72%? Nisma e kryeministrit për të dhuruar 1 mld euro as nuk do të përmirësojë gjendjen ekonomike të vendit, as do të nxjerrë nga moçali i taksave dhe tarifave të vendosura mbi kokë tek bizneset dhe as nuk do të lehtësojë kredidhënien e bankave, të cilat vazhdojnë të nxjerrin fitimin e tyre jashtë. Në të kundërt, do të përkeqësojë dhe të shtrydhë gjithnjë e më shumë bizneset, të cilët sot vazhdojnë të vuajnë një treg të kapur dhe aspak të lirë. Nëse ndokush ka ende dyshime le të hedhë sytë te Porti i Karpenit që e lançuan si një megainvestim e doli që ishin kompani fantazmë prapa të cilave mund të fshihen vetëm politikanë. Ky është lloji i investimeve e koncesioneve që dini të jepni ju. U përpoqa dje të gjeja disa investitorë të rinj që kanë ardhur në Shqipëri mbas 2013. Arrita të gjeja vetëm dy që ishin kompanitë e inceneratorit të Elbasanit dhe të Fierit që të dyja nuk sjellin asnjë investim në Shqipëri, por njërën e paguani 5 mln euro në vit e tjetrën 28 mln euro e që ishin e njëjta kompani. Unë nuk e di se çka ndodhur me një parti që dikur quhej e majtë, që po rrit varfërinë e pabarazinë, që nuk ofron dot vetë asnjë shërbim, por koncesionon gjithçka! Përndryshe disa kolegë deputetë të kësaj ane të mëngjër, do të ishin ngritur tanimë për të protestuar ndaj kësaj nisme, duke filluar qoftë edhe me z. Vasili, i cili disa muaj më parë erdhi në këtë sallë me një amendament që gjoja frenonte koncesionet pa fre. Po sot z. Vasili a jeni me të njëjtën mendje si përpara një muaji për t’i dhënë fund koncesioneve pa fre dhe nismës “Koncesionohet Shqipëria për 1 mld euro”? Apo sërishmi të gjithë këtu luajnë lojën e strucit për të akuzuar, por pa mbajtur përgjegjësi. Për të bërë opozitën, por nga kolltuku i qeverisë. Për të kritikuar mazhorancën a thua se jeni në opozitë? Koha po troket për këdo që sot mbështet në heshtje apo me tam-tame këtë qeveri, po troket edhe për vetë mazhorancën, e cila si në ditët e mira ashtu dhe në ato të këqija ka mundur t’ia sjellë në majë të hundës shqiptarëve.

Exit mobile version