Ballina Ekonomi Qeveria bllokon kompensimin për ish-pronarët, jep vetëm 41% të fondit të planifikuar...

Qeveria bllokon kompensimin për ish-pronarët, jep vetëm 41% të fondit të planifikuar për 2016

Teksa nevojat për kompensimin e ish-pronarëve janë shumë më të larta në krahasim me fondet buxhetore në dispozicion sërish qeveria nuk arrin të alokojë në drejtim të kësaj shtresë edhe sasitë e programuara në buxhetet vjetore. Sipas të dhënave fiskale paraprake të Ministrisë së Financave në vitin 2016 ish-pronarët morën 1.5 miliardë lekë si kompensim nga fondet buxhetore nga 3.6 miliardë të tilla që ishin programuar, duke u realizuar në vetëm 41 për qind të planifikimit. Nga fondet për kompensimin e  ish-pronarëve kanë tepruar 2,1 miliardë lekë ose 15 milionë euro, të cilat kanë shkuar për uljen e deficitit buxhetor.
Megjithëse ligji i ri “Për trajtimin e pronës” nuk ka një faturë financiare se sa kushton kompensimi, qeveria në mënyrë indirekte thotë se do të mbyllë procesin e kompensimit në 10 vitet në vijim, me një faturë të përgjithshme të kompensimit që është 50 miliardë lekë. Ligji i ri që hyri në fuqi vitin e kaluar e zhvlerëson faturën e kompensimit me gati 7 herë sipas shembujve tipikë në zonën e Tiranës. Por shoqatat e ish-pronarëve pretendojnë se, duke përllogaritur si kompensim të tokës truall Kadastrën e vitit 1944, fatura e kompensimit zhvlerësohet shumëfish.
Qeveria, nëpërmjet Agjencisë së Trajtimit dhe Kompensimit të Pronës, ka vendosur të kompensojë ish-pronarët me një shumë prej 50 miliardë lekësh, ose 370 milionë euro, deri në vitin 2025. Deri në vitin 2020, shuma vjetore që do të akordohet nga buxheti i shtetit nuk do të jetë 3-45 miliardë lekë në vit, ndërsa pas këtij viti, deri në 2025, fondi vjetor është parashikuar të rritet gradualisht vit pas viti për të arritur në vitin e 10 të kompensimit që i takon 2025 në 7.6 miliardë lekë.
Sipas të dhënave të Shoqatës Pronësi me Drejtësi, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronës ka njohur për efekte kompensimi mbi 80 mijë hektarë tokë truall. Me ligjin e ri, ku referenca do të jetë sipërfaqja truall në vitin 1944, toka truall për kompensim nuk është më shumë se 5-7 mijë hektarë në të gjithë vendin. Reduktimi me këtë përmasë i kompensimit të tokës truall e redukton faturën në mënyrë drastike. Shtetëzimi i pasurive të paluajtshme nga Reforma Agrare e viteve 1950-1960 nuk qe asgjë para ndarjes për frymë të tokës bujqësore dhe fragmentarizmit në 3 milionë pasuri që bëri qeverisja demokratike në vitin 1991 me Ligjin 7501.
Toka bujqësore e dhënë në përdorim ka krijuar 500 mijë pronarë të rinj në kurriz të pronarëve realë, sot nuk mund të zhbëhet më. Qeveria ka nisur procedurat për të bërë pronarë përdoruesit e 7501, ndërkohë zhvillimi i bujqësisë, turizmit, investimeve private do të mbeten përjetësisht peng i këtij zhvillimi të çorganizuar gati me dashje në ndarjen e pronësisë.

Exit mobile version