Nis revolta popullore në Rumani, populli del në shesh

Më shumë se 200 mijë persona kanë dalë përsëri dje në mbrëmje në Bukuresht, si dhe në qytete të tjerë të Rumanisë, për të protestuar kundër qeverisë së Sorin Grindeanu, i akuzuar se është duke miratuar masa që zbusin luftën kundër korrupsionit të përhapur në vend. Vetëm në kryeqytetin e Rumanisë, Bukuresht, kanë zbritur në shesh më shumë se njëqind mijë vetë dhe vëzhguesit flasin për manifestime popullore, më masive se ato të dhjetorit 1989, që sollën regjimin komunist të Nikolae Çausheskut. Në Bukuresht, sipas mediave vendase, janë regjistruar përplasje sporadike mes demonstruesve dhe policisë, me një bilanc prej të paktën pesë të plagosurve dhe gjashtëdhjetë arrestimeve.

Politikanët e korruptuar, “festë” për veten e tyre

Udhëheqësit e rinj të Rumanisë kanë gjetur një mënyrë për të zgjidhur problemin e mbipopullimit të burgjeve, shkruante Horia Blidaru në “Adevarul”. Të ndërtojnë më shumë burgje? Jo. Thjesht do të falin të gjithë politikanët e korruptuar! Qeveria e udhëhequr nga socialdemokratët, që mori detyrën në dhjetor, ka shpallur qëllimin e saj për të falur disa të dënuar nëse dënimi ka qenë më pak se pesë vite, si dhe për të dekriminalizuar abuzimet me pushtetin që shkaktojnë më pak se 50 mijë dollarë dëme për buxhetin. Dënimi maksimal për abuzim me detyrën do të reduktohet nga shtatë vite në tre. Nga gjithë problemet që ka vendi, ky ishte prioriteti kryesor i socialdemokratëve. Po sigurisht, ç’mund të pritet nga një parti që udhëhiqet prej një krimineli? Kryetari i socialdemokratëve, Liviu Dragnea u ndalua të bëhet kryeministër për shkak të një dënimi për mashtrime elektorale, por është ai që vazhdon të drejtojë nga prapa skenës. Dragnea dhe partia e tij nuk hezitojnë që të eliminojnë çdo rregull që i pengon të plaçkisin shtetin. Këta njerëz duhet të ndalen! Rumania, dikur një diktaturë komuniste, që më pas u rrënua prej oligarkëve të pangopur, ka bërë përpjekje të mëdha drejt përmirësimit të gjyqësorit në vitet e fundit. Ne, populli, nuk mund të lejojmë që udhëheqësit tanë të shkelin sundimin e ligjit. Vetëm “angazhimi i drejtpërdrejtë i qytetarëve mund të shpëtojë reformat dhe ndalë këtë axhendë politike thellësisht të dëmshme”.
Rumunët protestojnë kështu kundër ndryshimeve në Kodin Penal për korrupsionin. Viktima e parë e protestave është ministri i Ambientit të Biznesit, Florin Jianu. “Unë nuk dua që t’i them fëmijëve të mi një ditë se, isha një burracak dhe pranova diçka në të cilën nuk besoja”, deklaroi ai nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.
Socialdemokratët rumunë në pushtet prej vetëm një muaji, po përballen me protesta të paprecedentë. Qindra mijëra rumunë sfidojnë kështu edhe temperaturat disa gradë nën zero. Kjo është qeveria e tretë në 2 vitet e fundit në vend.
Presidenti i vendit, Klaus Iohannis, pak ditë më parë firmosi një urdhër për lehtësimin e dënimit ndaj zyrtarëve që abuzojnë me postin, duke kërkuar edhe lirimin nga burgu të shumë të tjerëve. Qeveria ndërkohë kërkon të amnistojë të dënuarit me më pak se 5 vite burg, me përjashtim të atyre të dënuar për përdhunim. Vendimi që ka acaruar të gjithë popullin, është ai që kërkon dekriminalizimin e korrupsionit të zyrtarëve për shuma jo më të mëdha se 48 mijë dollarë. Rreth 2 mijë të tjerë, ndërkohë janë në proces gjykimi. Rumunët janë tërësisht kundër këtij vendimi, pasi sjell lirimin e qindra zyrtarëve të dënuar për korrupsion, mes të cilëve edhe liderin e socialdemokratëve. Protestat kanë nxitur dobësimin e levit vendas me të paktën 1% kundrejt euros, që është edhe rënia më e madhe në 2 vite.
Duke i quajtur politikanët “hajdutë” e “tradhtarë”, tubuesit këmbëngulin se dekreti qeveritar përbën një hap gjigant prapa nga reformat e dekadës së fundit. Ata mendojnë se ligji i amnistisë i pastron praktikisht politikanët nga mëkatet e veta e u lejon të mbajnë gjithçka që kanë arritur në mënyrë ilegale. “Jemi këtu për të protestuar kundër metodave imorale dhe të stilit mafioz që përdor kjo qeveri. Votojnë natën si hajdutët një ligj, i cili u jep politikanëve dhe zyrtarëve publikë, që u shërbejnë atyre, të drejtën të vjedhin 44 mijë euro. Jam këtu për të ardhmen e fëmijëve të mi. Dua që kjo qeveri të largohet, dua ta anulojnë dekretin, nuk dua të publikohet fare”, tha një protestues. Disa prokurorë si Laura Codruta Kövesi e shohin lëvizjen e ekzekutivit si “çek të bardhë” për të abuzuar me pushtetin. “Dekreti urgjent do ta dëmtojë shumë luftën kundër korrupsionit”, shprehet ajo. “Nëse projekti miratohet, kjo luftë praktikisht nuk do të ketë më asnjë rëndësi”. Ekzekutivi rumun pretendon se masa për shfajësimin e atyre që kanë shkaktuar më pak se 44 mijë euro dëme synon lehtësimin e mbipopullimit të burgjeve.
Prokurorët kujtojnë se gati 2.000 persona të përfshirë në raste abuzimi me pushtetin kanë shkaktuar një dëm, që përgjatë 3 viteve të fundit mbërrin në total gati një miliard euro. Në hetim janë aktualisht disa politikanë në zë të vendit, përfshirë këtu edhe udhëheqësin e socialdemokratëve në pushtet, Liviu Dragnea. Të majtët i morën frerët e pushtetit në Rumani në muajin dhjetor, me premtimin e rritjes së rrogave dhe pensioneve. Por një muaj më vonë, ata janë arsyeja e protestave më të mëdha në vend që prej 1989-s. Masat e parashikuara në ligj përfshijnë edhe faljen e të dënuarve me më pak se 5 vite burg, për kryerjen e disa krimeve jo të dhunshme.

bota.al