Juve, klubi me bonusin më të lartë

UEFA shpërblen klubet që lejuan futbollistët e tyre të luajnë me përfaqësueset respektive në eliminatoret dhe fazën finale të Euro 2016. Numri i përgjithshëm i klubeve që kanë përfituar bonusin e përcaktuar, është 641, ndërkohë që vlera totale është 150 milionë euro, 50 milionë më shumë se shpërblimi i dhënë për vitin 2012. Sipas skemës së përcaktuar nga Komiteti Ekzekutiv i UEFA, 100 milionë euro shkuan për klubet që lejuan futbollistët e tyre në fazën finale të Euro 2016, ndërsa 50 milionët e tjerë për ata që morën pjesë në kualifikuese me kombëtaret e tyre.
Në këtë pikë, klubi që përfitoi më shumë është Juventus, që kishte 12 futbollistë në Europianin e Francës. Shifra që shkoi në arkat e “Zonjës së Vjetër” ishte rreth 3.5 milionë euro duke lënë pas vetëm për pak Liverool-in me gati 3.4 milionë euro. Podiumin e plotëson një tjetër skuadër angleze, Tottenham me 3 milionë euro i ndjekur nga Manchester United dhe Bayern Munchen. Klasifikimi vijon me Realin e Madridit, Arsenalin e Barcelonën, ndërkohë që në dhjetëshen që kanë përfituar këtë bonus nga UEFA përfshihen edhe Roma e Southampton.