Beteja me bandën në çdo pëllëmbë të territorit

“Të zëmë sheshin, të betuar që s’do të largohemi pa shpëtuar vendin nga këta banditë e t’u tregojmë vendin që këta meritojnë”. Me këto fjalë, ish-Kryeministri Berisha u bëri thirrje qytetarëve dje të ngrihen në protestë, ndërsa tha se revolta popullore në sheshe është zgjidhja e vetme për t’i dhënë fund banditokracisë që po qeveris vendin. Berisha tha se vendi sot është i kërcënuar më shumë se kurrë ndonjëherë më parë në historinë e tij. Ish-Kryeministri theksoi se kur ekzekutivi është organizatë kriminale, fuqia e krimit është e pakufishme, pushteti i krimit është i pakufishëm dhe penetron në çdo skaj të territorit, në çdo institucion, në çdo qelizë të jetës së vendit.
“Beteja me banditokracinë është betejë e hapur dhe do të bëhet pëllëmbë për pëllëmbë, do të bëhet hap pas hapi, do të bëhet në çdo etapë. Vendi sot është më i kërcënuar se kurrë në tërë historinë e tij. Të gjitha këto të vijë t’i thotë këtu ai. Nga na del i biri me ‘BMV’ 260 mijë euro?
Çfarë mund të bëjë tjetër një banditokraci?! Sa janë të vdekurit në burgje? Ku mund të ndodhë përveçse në një banditokraci që rrugaçë me uniformë, vënë në ndjekje prokurorë dhe mbajnë fjalë për reformë? Një hordhi horrash që s’i ka toka. Flasin për reformë në një kohë kur u venë prokurorëve kriminelë me uniformë mbrapa. Në cilin shtet ndodh kjo? Në cilin regjim ndodh kjo? Kjo ndodh vetëm në banditokraci.
E them unë këtë? Jo e tha ministri i Drejtësisë, i cili pikërisht pse i tha këto u largua, iku. Cili vend në botë ka arritur që, në një kohë të shkurtër, në një hark kohor dyvjeçar të shndërrohet në Kolumbi, të shndërrohet në Kanabistan, të shndërrohet në prodhuesin kryesor të kanabisit në Europë dhe mafia e tij të cilësohet e treta më e rrezikshmja në botë?
Kjo ndodh vetëm në një rrethanë; kur këta që janë pas meje janë thjesht një organizatë kriminale. Kur ekzekutivi është organizatë kriminale, fuqia e krimit është e pakufishme, pushteti i krimit është i pakufishëm, ai penetron në çdo skaj të territorit, në çdo institucion, në çdo qelizë të jetës së vendit. Ndaj dhe kjo është Banditistan!
Ku ndodh që nga ndërtesa e kryebanditit të organizohen programe për të vjedhur të dhënat e komunikimit të qytetarëve. Pse ndodh kjo? Sepse kryebanditi ka gjetur një kushërirë të verbër që i lejon vetes akte kriminale. Në cilin vend ndodh që drejtoresha e Tatimeve, kushërira e kryeministrit të sillet ndaj biznesit duke u çuar shkresa dhe letra terroriste? Kjo është politika e gjobëvënies për llogari të kushëririt. Pra, sot vendi është shndërruar në Banditistan. Çfarëdo që të bëjmë ne këtu, zgjidhje nuk ka sepse ky Parlament është i damkosur. Është në meritën e madhe të kësaj opozite që ju çori maskën dhe sot ju jeni mazhoranca më e pabesuar në Europë, institucioni më i pabesuar. Por prapë nuk është zgjidhja kjo.
Zgjidhja është sheshi! Qytetarë dhe qytetare, lufta me bandat është lufta më e vështirë, por ju garantoj për një gjë. Bandat vërtet i kanë të gjitha, kanë para, kanë eksploziv, kanë armë, por s’kanë një gjë që keni ju; ata s’kanë guximin që keni ju, ata janë të parët që ja mbathin si minj. Ndaj të zëmë sheshin, të betuar që s’do të largohemi pa shpëtuar vendin nga këta banditë që votën tuaj e shndërruan në pushtet bandash, në mbështetje të krimit, e shndërruan në krim, e shndërruan në izolim. Ndaj dhe të mblidhemi. Këtë betejë do ta fitojnë ato gra dhe burra, djem dhe vajza që do të betohen për të mos iu ndarë protestës deri në rrëzimin e këtyre. Kurrë ndonjëherë në histori, një protestë e zgjatur nuk ka dështuar dhe të jeni të sigurtë që do i shihni këta si do ja mbathin si minj, s’do të gjejnë vrimë ku të futen. Do i shihni se si do të kërkojnë azil politik në vendet përreth. Ndaj dhe thirrja ime më miqësore për çdo shqiptar pavarësisht nga bindjet partiake, që bie dakord se kemi të bëjmë me një bandë; të bashkohemi me guximin tonë t’u tregojmë vendin që këta meritojnë”, u shpreh Berisha.