Të majtët e BE-së e shpallin Amerikën armike

Negociatori kryesor i Brexit për Bashkimin Europian, Guy Verhofstadt tha për “Reuters” se, Donald Trump është pjesë e një përpjekjeje trepalëshe për të dëmtuar Bashkimin Europian. Dy kërcënimet e tjera burojnë nga islami i radikalizuar dhe nga presidenti rus Vladimir Putin, i cili sipas Verhofstadt është duke luftuar edhe kundër zhvillimit të projektit të Bashkimit Europian.
“Për momentin kemi një front të tretë që po dëmton Bashkimin Europian dhe ky është Donald Trump”, tha Verhofstadt gjatë një fjalimi në “Chatham House”. “Trump ka folur publikisht se e favorizon idenë se vende të tjera europiane mund të shkëputen nga Bashkimi Europian dhe ka thënë se shpreson për shpërbërjen e Bashkimit Europian”.
Verhofstadt ka shërbyer për nëntë vite si kryeministër i Belgjikës dhe në Parlamentin Europian që në vitin 2009. Ai ka thënë se Bashkimi Europian ka probleme të rënda, duke iu referuar atyre si “polikriza”, megjithatë është shprehur se zgjidhja e këtyre problemeve është bashkëpunimi i mëtejshëm ndërmjet shteteve.
“Shpërbërja e Bashkimit Europian do të ishte katastrofike, jo vetëm për Europën, por edhe për aleatët tanë nëpër botë, mendoj unë”. Komentet e tij reflektojnë se sa të çorientuar janë vërtet politikanët e Bashkimit Europian, pasi nuk pranojnë kurrë asnjë faj për çdo politikë të tyre që mund të kenë natyrë diktatoriale dhe janë përpjekur që në fillim ta federalizojnë Europën duke e mohuar gjatë gjithë kohës se ky ishte qëllimi i tyre.
Verhofstadt ka thënë për “Reuters” se, përveç presidentit amerikan Donald Trump, dy kërcënimet e tjera ishin islami i radikalizuar, ndaj të cilit vendosën vetë të hapnin dyert e kufijtë dhe ta prisnin me krahë hapur, si dhe presidenti rus Vladimir Putin, i cili në fakt para pak kohësh ka thënë se Europa duhet të qëndrojë e bashkuar. Putini madje ka paralajmëruar se Bashkimi Europian nuk ka për të qenë një aktor global nëse nuk qëndron i bashkuar.
Verhofstadt pretendon në fakt se të tre palët janë duke punuar kundër progresit të projektit të Bashkimit Europian. Bashkimi Europian është i destinuar të shkatërrohet në rast se politikanët nuk vendosin të adresojnë politikat e tyre antidemokratike që janë duke i mbyllur dyert e progresit. Ishin Shtetet e Bashkuara që inkurajuan formimin e euros, por jo dorëzimin e plotë të sovranitetit të të gjithë vendeve anëtare në Bruksel.
Ky është problemi i vërtetë. Bashkimi Europian vazhdon me kokëfortësi të fajësojë këdo tjetër përveç vetes për dështimet e tij. Kjo do të thotë se janë të paaftë për të parandaluar kolapsin e plotë duke qenë se këmbëngulin ta mohojnë problemin. Ata kanë implementuar me qëllim një sistem në të cilin populli europian nuk mund të votojë të ndryshojë asnjë politikan duke qenë se ata nuk dalin në zgjedhje.
Mario Draghi ka qenë në krye të Bankës Qendrore Europiane që në vitin 2008 dhe ka dështuar për tetë vite me radhë. Megjithatë, asnjë europian nuk ka mundësi ta shporrë atë përmes kutisë së votimit. Kjo do të thotë se e vetmja mënyrë për të sjellë ndryshim në një vend është që të dalë nga Bashkimi Europian. Verhofstadt nuk ia mbush dot mendjen vetes të dalë përpara pasqyrës. Të gjithë paralajmëruan se kjo do të ishte e ardhmja e Bashkimit Europian që në vitin 1996, pasi po krijohej me dëshirën për ta federalizuar Europën, edhe pse politikanët e mohonin këtë qëllim.
Të gjithë paralajmëruan për ngritjen dhe rënien e euros që në vitin 2001. Paralajmëruan euro do të dështonte dhe ofruan modelin hamiltonian si përgjigje për të shpëtuar Europën. Komiteti i themelimit të euros mori pjesë në Konferencën Ekonomike Botërore në Londër, por këshillat e ekspertëve janë futur në një vesh dhe kanë dalë nga tjetri.
Është më e lehtë të fajësosh të tjerët se sa të pranosh gabimet e tua. Ndërkohë, politikanët europianë janë tërësisht të çorientuar dhe mendojnë se mund të fitojnë një betejë tregtie kundër Shteteve të Bashkuara për shkak të ekonomisë së fortë europiane. Mesa duket politikanët europianë vazhdojnë të jetojnë në një botë fantastike, aspak të lidhur me realitetin.