Shullazi bën lojën e Dritan Dajtit, shtyn gjyqin për herë të tretë

Emiliano Shullazi, Gilmando Dani dhe personat e tjerë të pandehur që po gjykohen për gjobvënie dhe kërcënime kanë arritur të dështojnë edhe një tjetër seancë gjyqësore. Shullazi dhe anëtarët e bandës së tij kanë protestuar për avokatin e caktuar nga Gjykata. Në seancën e ditës së martë dha dorëheqjen avokati i Danit, në këto kushte Gjykata caktoi avoktat kryesisht. Ai nuk e ka pranuar avokatin, duke i kërkuar Gjykatës t’i caktonte si avokat Eno Bushin. Gjykata rrëzoi kërkesën e tij. Në këto kushte të pandehurit dhe avokatët e tyre u larguan nga seanca në shenjë demonstrative. Kjo është hera e tretë që seanca gjyqësore për dëgjimin e dëshmitarit të mbrojtur Ylvi Beqja dështon.
Dëshmitari duhet të dëshmonte me video në mënyrë që Gjykata ta njohë si provë dëshminë e tij që do t’i bashkangjitet dosjes hetimore. Sipas Ylvi Beqajt nën kërcënimin e armës, Emiliano Shullazi dhe banda e tij i ka marrë pronësinë për një pjesë të ish-hotel “Vollgës” në Durrës dhe 550 mijë euro. Praktika që po ndjek Shullazi është e njëjtë me atë të Dritan Dajtit që shtyu pafundësisht gjyqin për të përfituar nga tejkalimi i afateve hetimore.
Gjykata ndërpreu seancën për të vazhduar gjatë ditës së enjte në ora 13:00. Gjatë kësaj seance, pritet që biznesmeni i mbrojtur Ylvi Beqja të dëshmoi për kërcënimet dhe gjobat që banda e Shullazit ia ka vendosur.
Në muajin tetor Ylvi Beqja pranoi të bashkëpunonte me akuzën pas qëndrimit të tij disamujor në mbrojtje të të dyshuarve. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka bërë të ditur se, Beqja ka deklaruar se Emiliano Shullazi, përmes bashkëpunëtorëve të tij, në tri episode i ka vendosur gjoba, dhe se gjobëvënia është aplikuar në formën e çeqeve, në emër të Endrit Zelës dhe Endrit Qyqes, të dy këta të arrestuar pas një takimi në paraburgim me Shullazin. Ndërkohë, Prokuroria ka nën hetim edhe persona të tjerë, ndërsa vijon të qëndrojë hermetike për episodet e tjera kriminale, për të cilat dyshohen pesë të arrestuarit.