“Sadiku është shumë i fortë, po ndjen nevojën që ta ledhatojnë”

Transferimi i Armando Sadikut te Lugano ka hequr thuajse çdo lloj dyshimi te rivalët e kësaj skuadre për mbijetesën e saj në elitën e futbollit zviceran. Sipas Xhiorxhio Kontinit, trajnerit të rivalëve kryesorë, Vaduzit, me sulmuesin shqiptar në përbërje, plotësohet një grup i fortë, i cili nuk do të ketë probleme të mbijetojë në Superligën zvicerane.
Kontini e ka drejtuar Sadikun një vit më parë pikërisht te Vaduzi dhe ai pa nga afër se si sulmuesi shqiptar arriti të linte gjurmë në mbijetesën e kësaj skuadre te vogël. Tashmë, ai është i Luganos dhe për trajnerin, nuk ka dyshime që do të përsëritë të njëjtën formë edhe atje.
“Një vit më parë erdhi Sadiku që na dha një ndihmë të madhe. U rritëm me kalimin e javëve dhe fituam të drejtën për të qëndruar këtu. Tani, për Luganon, ai është një goditje e madhe, me të mund të bësh hapin cilësor. A bën diferencën? Ai duhet ta ndjejë veten i ledhatuar dhe i rëndësishëm. Dhe jam i sigurt se mister Tramexani, që e njeh, do ta vendosë në kushtet e duhura për t’u shprehur në maksimum”, tha Kontini për mediat zvicerane.