Rene bllokon Lenjanin vetëm për 700 mijë euro

Një sezon i zhvilluar te rivalët historikë i ka kushtuar shumë Ermir Lenjanit. Mesfushori i Kombëtares mbeti “peng” i politikave të Renesë. “Panorama Sport”, nga burime të besueshme, ka mësuar se çmimi për kartonin e Lenjanit nga drejtuesit e Renesë ka qenë jo më pak se 700 mijë euro, duke i përjashtuar disa pista gjatë merkatos. Rene duket se ka rënë pre e presionit të tifozëve për të bllokuar shqiptarin.
Nga ajo që ka mësuar “Panorama Sport”, çmimi që Rene ka vendosur për kartonin e tij është gati sa gjysma e shumës prej 1.5 milionë eurosh që ky klub i ka pagur St. Gallenit në janarin e vitit 2015. Ermir Lenjani ka kontratë me Renenë deri në fund të këtij sezoni dhe me këtë logjikë vlera e kartonit të tij është thuajse pranë zeros. Jo për nga vlera e futbollistit, por për vetë mbarimin e kontratës.
Ish-klubi i tij para se të transferohej në Francë, zviceranët e St. Gallenit, ka bërë përpjekje të mëdha deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme për të kthyer mbrojtësin shqiptar në ekip, por oferta e tyre është refuzuar nga Rene. Mesa duket, St. Gallen nuk ka pranuar të paguajë një shifër të ekzagjëruar për një futbollist që ndodhet në fundin e kontratës.