Nishani: Shkarkimi i Manjanit për kanabisin, shenjë alarmi

-Kryeministri i vendit ka shkarkuar ministrin e Drejtësisë, cili është gjykimi i presidentit për këtë akt?
Unë mendoj se e kam mirëkuptimin tuaj, të medias në përgjithësi dhe të gjithë shoqërisë për sa kohë mbart mbi vete imazhin e institucionit të Republikës, dua të respektoj në mënyrë strikte përcaktimet kushtetuese ligjore, por dhe kodin që duhet të udhëheqë Presidenti shqiptar për të qenë jashtë përfshirjes qoftë edhe përmes analizave gjykimeve, por dhe vendimeve që ju takojnë partive politike, apo qeverisë që është produkt i partive politike në kontekstin formal. Përbërja e qeverisë është një e drejtë ekskluzive e kryeministrit, i cili ka marrë mandatin përfaqësimit nga mazhoranca që ka krijuar qeverinë, por nga ana tjetër padyshim kjo nuk do të thotë që përjashtohet nga dimensioni i të drejtës i çdo ministri, i çdo njeriu që është në përbërje të qeverisë për të shprehur mendimet për politika të caktuara apo për angazhime të caktuara. Ky është dimensioni minimal dhe fillestar i së drejtës, por gjithsesi kjo është një çështje që mbetet brenda në qeveri, është një çështje që duhet ta zgjidhin në dy grupimet që kanë krijuar qeverinë shqiptare. Ndaj për sa kohë mbart këtë përgjegjësi nuk do të përfshihem në analiza dhe gjykime. Por sidoqoftë në aspektin njerëzor unë kam gjykimet e mia, analizat e mia, por unë ngul këmbë në dy gjëra, së pari, në të drejtën formale të mandat marrësit që është kryeministri, së dyti nga ruajtja dhe respektimi i së drejtës së çdo njeriu pavarësisht pozicionit shtetëror apo publik që ka.

-Ylli Manjani ishte ministër Drejtësie, por dhe anëtar i KLD-së, ku Presidenti i Republikës është kryetar i KLD-së. Zoti President a keni gjykim për punën e Manjanit si ministër?
Ju falënderoj për pyetjen, sepse më jepet rasti për të shprehur falënderimet madje dhe mirënjohjen mund të them pa e ekzagjeruar të një kontributi profesional që zoti Manjani solli në mbledhjet e KLD-së, i cili e kishte të nevojshme jo vetëm nga pikëpamja e mënyrës se si duhet të funksionojë këshilli, jo vetëm nga mënyra e drejtimit të këshillit, ku ministri përfaqëson ekzekutivin, por dhe për shkak të një lloj racionaliteti të fokusimit profesional dhe ligjor të çështjeve që diskutohen në KLD. Ruaj vlerësimet maksimale, ruaj edhe vlerësimet e mia më të mira institucionale dhe gjej rastin edhe për falënderimet për frymën që solli zoti Manjani në KLD-së, një frymë që ishte në dimension e një profesionisti, por dhe të bashkëpunëtorit, koordinuesit dhe të pajtuesit midis aktorëve që përfaqësonin pushtete të ndryshme, qeverinë, gjyqësorin dhe Parlamentin.

-Zoti Manjani pajtues? Se perceptimi pas asaj që thonë kolegët e tij, zoti Manjani është konfliktual zoti President?
Unë po ju përcjell eksperiencën në KLD, se cilat janë eksperiencat apo perceptime që krijohen nga aktiviteti i zotit Manjani në ekzekutiv në partinë politike apo në Parlament, unë nuk e kam këtë informacion dhe nuk mund të prononcohem për këtë. Flas në mënyrë të sinqertë në mënyrë bindëse për çka unë kam konstatuar dhe përjetuar në funksionimin e KLD-së dhe aktivitetin e ministrit të Drejtësisë, zotit Manjani në funksionin e tij si anëtar i KLD-së?

-Ylli Manjani ishte anëtari i parë i qeverisë, i cili foli për rrezikun që po i kanoset sigurisë kombëtare nga kanabis, madje bëri thirrje edhe për përfshirjen e ushtrisë në këtë aksion për të zhdukur atë, të cilën Shqipëria nuk e kishte përjetuar kurrë më parë në këto nivele. Edhe Presidenti ka pasur këtë shqetësim dhe në mos gaboj ka thirrur dhe Këshillin e Sigurisë për çështjen e kanabisit. Ministrit i kushtoi shkarkimi, gjithsesi ju tashmë keni thirrur Këshillin e Sigurisë tashmë për një çështje tjetër, i kërkuar nga kryetari i Kuvendit për çështjen e Klement Balilit. Zoti President, a keni diskutuar ju me institucionet e ministrit të Brendshëm, Prokurorisë së Përgjithshme me SHISH-in, se pse nuk arrestohet Klement Balili dhe a përbën realisht një kërcënim për sigurinë kombëtare?
Duke ju referuar përmbajtjes së pyetjes tuaj do të thosha se në rast se zoti Manjani është shkarkuar për shkak të angazhimeve dhe prononcimit të tij në lidhje me shqetësimin, tashmë ndërkombëtar që ka marrë kultivimi dhe trafikimi i kanabisit në territorin shqiptar, ky do të ishte një lajm shumë i keq.

-Këta e tha vetë kryeministri, e tha zv/kryeministri, e tha kryetari i Bashkisë Veliaj, u shkarkua sepse foli pa leje, i vetmi motivacion ishte ky. Foli pa leje, këtë e tha vetë dje zv/kryeministri Niko Peleshi?
Po flas si President i Republikës dhe kjo është vërtetë për t’u shqetësuar nëse është shkarkuar se ka folur për çështjen e kanabisit, për kultivimin dhe trafikimin e kanabisit është një shenjë dhe një moment shumë i keq dhe problematik.

-Ju e keni para motivacionin e keni lexuar dhe keni firmosur shkarkimin e tij?
Motivacioni i referohet ecurisë së Reformës në Drejtësi, nuk e di se cilat janë arsyet dhe detajet që kryeministri ka konstatuar se zoti Manjani është një pengesë për çuarjen përpara të Reformës në Drejtësi, kjo është në tagrin kushtetues të kryeministrit, ky ka qenë argumentimi zyrtar që ka ardhur në propozimin e kryeministrit tek Presidenti i Republikës. Për sa i përket angazhimit të Presidentit të Republikës për thirrjen e sigurimit kombëtar, ka pasur një mbledhje para disa kohëve për shkak të dimensionit shumë shqetësues që ka marrë ky problem, i ka tejkaluar kufijtë e Shqipërisë, informacionet e konfirmuara të agjencive inteligjente shqiptare dhe atyre të NATO-s, kanë konstatuar lidhje financiare midis grupeve të krimit të organizuar, posaçërisht të fokusuar tek trafiku i drogës me grupet e terrorizmit ndërkombëtar, që do të thotë se ky është një alarm që ne duhet të na preokupojë në një masë shumë serioze ndaj dhe u përcoll si shqetësim në kërkesën time në mbledhjen e mëparshme të Këshillit të Sigurimit Kombëtar, ku kërkova nga të gjithë aktorët e ngarkuar nga ligji dhe Kushtetuta e vendit kryesisht ato ligj zbatuese, të rrisnin angazhimin, seriozitetin dhe goditjen në parandalimin në radhë të parë të kultivimit, pastaj në goditjen e trafikimit, sepse janë dy momente që kanë përmasa të ndryshme, por rëndësi të njëjtë dhe kërkesa e ardhur nga kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, anëtar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare me fokus çështje konkrete, personazh konkret i konfirmuar si shqetësim i madh nga agjencitë ndërkombëtare të luftës kundër trafikimit, i bërë publike nga përfaqësuesit e partnerëve tanë më kryesorë për çështjet e sigurisë siç janë SHBA-të, besoj që tregon përmasën përtej kufirit kombëtar, përtej organizimit kombëtar, përtej netëork-ut kombëtar për sa i përket kësaj çështjeje. Prandaj me shumë shpejtësi besoj ju përgjigja këtij shqetësimi, si një shqetësim serioz, si një shqetësim, i cili duhet trajtuar dhe duhet ndarë me të gjithë ata përgjegjës në përmes mandateve që kanë pranuar të marrin dhe të ekzekutojnë në veprimtarinë e institucioneve që drejtojnë duhet jo vetëm të japin llogari, duhet jo vetëm të sqarojnë institucionet e interesuara, duhet të sqarojnë partnerët tanë ndërkombëtarë për çështjet e sigurisë kombëtare, rajonale dhe më tej, por njëkohësisht të na paraqesin në mënyrë të detajuar për mënyrën se si do të veprojë Shqipëria, dhe kur them se si do të veprojë Shqipëria është kompleksiteti i institucioneve që Shqipëria ka, institucioneve ligj zbatuese, pra, kjo është një çështje, e cila kërkon jo vetëm adresim, por edhe ndjekjeje, ky është dhe fokusi i mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare ditën e premte.

-Mendon seriozisht se Klement Balili përbën kërcënim serioz për Sigurinë Kombëtare zoti President?
Patjetër.

-Është hera e parë që Këshilli i Sigurisë Kombëtare në Shqipëri mblidhet për një emër konkret?
Për herë të parë për një çështje konkrete, nuk është një emër konkret është një çështje konkrete. Për herë të parë një krye trafikant nuk vepron në mënyrë të izoluar për një çështje që thashë dhe jo pa qëllim dhe jo pa fakte ka tejkaluar kufijtë e Shqipërisë një çështje, e cila ka marrë vëmendjen dhe shqetësimin e agjencive më të mëdha ligjzbatuese në nivel global në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës. Pra, nuk është një individ është një çështje me përmasa ndërkombëtare dhe nuk është për herë të parë, por është në vijimësi të mbledhjes së parë që bëri KS, për çështjet e trafikimit.

-Rasti Balili është një rast i cili i ka kaluar kufijtë e Shqipërisë, por ky është një pretendim i kryeparlamentarit Meta ku thotë se i është kërkuar nga vizita në Uashington, më konkretisht përse nuk arrestohet Klement Balili. Ai i është ngritur ky shqetësim nga partnerët shqiptarë përpara se këtë gjë ta bënte publike zoti Meta?
Patjetër, përderisa është bërë një deklaratë publike nga ana e ambasadorit të SHBA-ve në Tiranë, është një mesazh i qartë madje shumë i mirëpritur dhe i vlerësuar që ka pas ndjeshmërinë e qeverisë së SHBA-ve, sepse ambasadori amerikan përfaqëson qeverinë e SHBA-ve dhe ky do të thotë se është një shqetësim i SHBA-ve. Pra, jo emri konkret, por çështja dhe fenomeni. Pra përderisa është një deklaratë publike është një adresim që i bëhet Presidentit të Republikës, kryeministrit, qeverisë, policisë, Prokurorisë të gjitha institucioneve dhe shoqërisë shqiptare.

-Zoti President, a i keni kërkuar informacion ministrit të Brendshëm, shefit të Shërbimit Informativ, Prokurorit të Përgjithshëm për rastin Balili?
Patjetër në rastin e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, i është kërkuar një informacion Prokurorisë, i është kërkuar informacion Policisë, i është kërkuar informacion dhe SHISH, sepse kam adresuar informacione të nivelit operacional. Padyshim që informacionet e nivelit operacional janë të limituara, madje dhe për Presidentin e Republikës, madje as për ministrin përkatës, janë strikte të trupës në uniformë që ngarkon ligji siç është rasti i Policisë së Shtetit, por padyshim brenda tagrit kushtetues dhe të drejtës për të marrë informacion i jam adresuar dhe pres të marr informacion përpara mbledhjes së KSK-së.

-Në rast se dorëzohet apo arrestohet Klement Balili para të premtes a do të bëhet mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare? Sepse ministri i Brendshëm ditën që kryetari i Parlamentit i kërkoi Presidentit, pra ju kërkoi juve që të mblidhni KSK-në për këtë çështje, madje i kërkoi Presidentit që mos e mblidhni se shumë shpejt do ta arrestojmë Klement Balilin, a do bëhet mbledhja e KSK-së?
Edhe njëherë unë ju referova jo një emri të caktuar, një njeri i cili akuzohet për veprimtari kriminale padyshim që ka të gjithë pasojat e ligjit që parashikon për veprimtarinë kriminale, unë vlerësova një çështje, një fenomeni, një dosjeje, e cila është shumë e gjerë, dosje e cila duhet hetuar se çfarë ka brenda, përveç Balilit kush është i përfshirë në këtë dosje. A ka mbështetje politike, nëse ka kush ja ka dhënë këtë mbështetje politike, a ka mbështetjen e institucioneve shtetërore, nëse ka kush ja ka dhënë këtë mbështetje shtetërore dhe duke mos u nisur dhe mos gjykuar aspak nga opinione që jep gjithsekush rrugëve të qeverisë, ajo që them është se, kapet apo s’kapet sot, apo nesër a pasnesër, Këshilli i Sigurisë Kombëtare do të mblidhet për të shqyrtuar shqetësimin e kryetarit të Kuvendit, i cili edhe ai lidhet drejtpërsëdrejti me këtë çështje. Pse ky person me informacionet që ka pasur, me aktivitetin që ka pasur është lejuar, a është mbështetur përderisa është lejuar, pse nuk është ndaluar, pse nuk është bashkëpunuar me aktorët ndërkombëtarë, ku i është afruar bashkëpunimi pse nuk janë realizuar dhe përfunduar operacionet e asistuara nga partnerët? Pra janë disa çështje që ka kjo dosje brenda. Kjo është një dosje, e cila shkon përtej çdo emri apo personi të caktuar, i cili patjetër që do të marri atë që i takon dhe që i paracakton ligji, pavarësisht nëse arrestohet sot apo arrestohet nesër.

Marrë me shkurtime nga Syri.net