Kush janë vrasësit dhe grabitësit e bankave që shoqërojnë Tahirin

Ish-Kryeministri Berisha ka publikuar mesazhin e një oficeri policie, i cili shkruan se shoqëruesit e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri janë vrasës, plaçkitës, trafikantë dhe anëtarë bandash. “Qeveria organizatë e mirëfilltë kriminale! Njihuni me shoqëruesit vrasës, plaçkitës, anëtarë të bandave, persona në kërkim të palo ministrit Saje Qorri!”, shkruan Berisha në një postim në Facebook.
Berisha ka publikuar edhe emrat e badigardëve të Tahirit dhe krimet që kanë bërë në Shqipëri dhe disa vende të Europës, si Itali, Spanjë e Gjermani. “Oficeri i SHKB dixhital informon: Shoqëruesi i parë i Saje qorrit ka ndërruar emrin nga Agustin Fran Deda në Paul Deda. Ai ka plagosur në një pub në Tiranë një oficer të Gardës. Ai ka qenë person në kërkim, ka bërë trafik kokaine në Spanjë. Shoqëruesi tjetër, Hekuran Marku ka probleme me drejtësinë italiane. Bujar Trimi shofer, i arrestuar në Mynih për grabitje banke me bandën e Yzberishit, është krahu i djathtë. Agim Sinani, shofer vrasës, anëtar i bandës së Selitës, i dënuar për vrasje. Bledar Bodlli, punon në SHKB, ka qenë i dënuar, pa shkollë.
I bëj thirrje Prokurorisë së shtetit të hetojë me përparësi lidhjet kriminale të Saje qorrit, shoqëruesve dhe njerëzve të tij!”, shkruan Berisha në Facebook, duke publikuar të plotë mesazhin e oficerit të SHKB-së.
“28.01.2017, 11:56:47: Shoqëruesi i parë i Sajmir Tahirit e ka pasur emrin Agustin Fran Deda tani e ka kthyer në Paul Deda, e ka kthyer emrin për arsye se më 2003-2004 ka plagosur në një pub në Tiranë një oficer të Gardës dhe ka qenë person në kërkim për tentativë vrasje dhe armëmbajtje pa leje, i shpallur në kërkim nga Drejtoria e Policisë Tiranë. Në vendin e ngjarjes ka lënë një këpucë nga vrapi. Ky ka qenë i lidhur me një shtetase spanjolle në momentin e ngjarjes dhe ka punuar në Spanjë, Barcelonë dhe Londër me kokainë dhe prostitucion.
28.01.2017, 11:57:18: Shoqëruesi tjetër i Sajmir Tahirit, Hekuran Marku, i cili ka jetuar rreth 15 vjet në Venecia, Itali. Ka bërë një lokal tek rruga e “Barrikadave” pranë shkollës “Sami Frashëri”, ka probleme me drejtësinë italiane në lidhje me bankat për marrjen e një kredie mbi 100 mijë euro me emër tjetër në Itali.
28.01.2017, 11:58:00: Bujar Trimi, miku i familjes së Sajmir Tahirit është shofer pranë parkut të Ministrisë së Rendit, është kapur nga policia gjermane për grabitje banke me grupin e Yzberishtit në Mynih, i kanë bërë atentat tek “Pallati me shigjeta” para disa viteve dhe është krahu i djathtë i kartelës së grupit të Selitës që është me burgim të përjetshëm për disa vrasje.
28.01.2017, 11:58:41: Agim Sinani ka qenë shofer pranë Parkut të Ministrisë së Rendit, e hoqën pasi i doli vërtetimi i penalitetit i dënuar pasi ka qenë në burg për vrasje dhe pjesëtar i bandës së Selitës. Dhe Tahiri e çoi me punë tek Task Forca në KESH tek miku i ngushtë i Tahirit, tek Vahit Sina nga Tepelena drejtor në KESH.
28.01.2017, 11:59:14: Bledar Bodlli nga Yzberishti dhe ky mik i Tahirit ka qenë i dënuar dhe është lidhje e Tahirit dhe e Krenar Cenollarit, ish-kryetari i Minibashkisë Kombinat, pa shkollë dhe i emëruar nga Tahiri në SHKB tek Arben Skëndaj, drejtori i SHKB, ish-sigurims”, përfundon mesazhi i oficerit të policisë.

Badigardi i Tahirit i akuzuar për vrasjen e Pudjas

Badigardi tjetër i Tahirit, Elvis Rexha është akuzuar për bashkëpunim në vrasjen e Besnik Pudjas në magazinën e hashashit në Shëngjergj të Tiranës më 7 tetor të vitit të kaluar. Ish-Kryeministri Berisha publikoi pak ditë pas ngjarjes një mesazh të mbërritur në adresë të tij nga një oficer policie, i cili hidhte dyshime serioze, se vrasja është kryer ose është porositur nga Elvis Rexha, që është badigardi i ministrit Saimir Tahiri. Berisha shkruante se, të gjitha manipulimet, fshehjet dhe zhdukjet e provave të vrasjes së Besnik Pudjas i ka bërë drejtori i Drejtorisë së Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj me porosi të Saje qorrit dhe e raportoi si vetëvrasje.
“Oficeri dixhital hedh dyshime tejet serioze në informacionin e tij se, badigardi dhe kryesekseri i Saje qorrit, Elvis Rexha mund të jetë dhe ekzekutori ose porositësi i vrasjes së Besnik Pudjas. Elvis Rexha është kryesori i parcelave të kanabisit në Malësinë e Shëngjergjit! Të gjitha manipulimet, fshehjen dhe zhdukjen e provave të vrasjes së Besnik Pudjas i ka bërë drejtori i Drejtorisë së Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj, me porosi të Saje qorrit. I bëj thirrje Prokurorit të Përgjithshëm të hetojë me përparësi implikimin direkt të Saje qorrit, sekserit të tij, Elvis Rexha dhe drejtorit Ervin Hoda, në këtë krim të shëmtuar dhe përpjekjen për të paraqitur ekzekutimin mafioz të Besnik Pudjas si vetëvrasje!”, shkruante Berisha në Facebook, duke publikuar të plotë mesazhin e oficerit të policisë.
“Përshëndetje doktor. Jam një oficer i Policisë në Komisariatin Nr. 4 në Tiranë. Ju bëj me dije se, Besnik Pudja personi që u gjet i vrarë në hangarët e hashashit në fshatin Kallogjesh në Shëngjergj është mik dhe lidhje e ngushtë e Elvis Rexhës, badigardit dhe sekserit më të ngushtë të Sajmir Tahirit dhe e di e gjithë zona. E gjithë vendngjarja dhe servirja e rrethanave të rreme për këtë ngjarje është bërë me porosi të drejtorit të Tiranës, Ervin Hodaj, që të mos dalë e vërteta që mbas këtyre parcelave dhe kësaj ngjarje kaq të rëndë të mos dalë në dritë emri i Elvis Rexhës, që është kaq shumë i implikuar në atë zonë me parcelat e hashashit”, shkruante oficeri i policisë.
Policia njoftoi në atë kohë se, Besnik Pudja ishte vetëvrarë, por Prokuroria ka rrëzuar Policinë e Tiranës pas hetimeve të kryera ka rezultuar se 36-vjeçari Pudja është vrarë nga persona të tjerë për motive që mund të kenë lidhje me drogën. Ekspertiza ka vërtetuar se në duart e viktimës nuk ka patur gjurmë baruti apo faktorë të tjerë plotësues. Prokuroria e Tiranës ia ka kthyer dosjen Policisë së Tiranës për të kryer hetime të mëtejshme për të zbuluar autorët e vrasjes.

R.POLISI