Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Flekenshtajn, paralajmëron se nëse në zgjedhjet e qershorit do të ketë parregullsi, rrezikohet mos-hapja e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Në një intervistë ekskluzive për ABC NEWS, ai thotë se kusht për negociatat janë zgjedhjet dhe zbatimi i reformës në drejtësi. Komisioni i punëve të jashtme votoi pro draftrezolutës tuaj. Ju jeni për hapje të negociatave të anëtarësimit sapo të fillojë të zbatohet reforma në drejtësi veçanërisht ligji i Vetingut. Por raportuesi në hije zoti Kyutchyuk tha, që zgjedhjet do të jenë një test i vërtetë për negociatat.
-Ç’rol luajnë ato përfundimisht?
Në terma realiste, negociatat e anëtarësimit mund të fillojnë vetëm pas zgjedhjeve dhe vetëm pas fillimit të zbatimit të reformës në drejtësi. Sigurisht, nëse zgjedhjet do jenë një katrahurë, asnjë nuk do të hapë negociatat me Shqipërinë. Kjo është e qartë. Duhet të insistojmë për këtë. Unë mendoj, se ka shanse që zgjedhjet të jenë të lira dhe demokratike, jo me shitblerje të votave, por duke respektuar vullnetin e votuesve.
-Ju u shprehët mbi reformën në administratë që ritmi i progresit nuk ishte ai që prisnit. Pse?
Ne ishim dakord, që janë bërë hapat e para të reformës dhe kjo është për t’u përshëndetur. Por sigurisht që mbetet ende punë për të bërë dhe besoj që kjo është e qartë edhe për qeverinë shqiptare. Hapat që janë ndërmarrë deri tani nuk shënojnë fundin e procesit. Lufta kundër korrupsionit është një pjesë e rëndësishme edhe në këtë kuadër. Janë bërë hapa të rëndësishëm dhe presim që të bëhen të tjerë në të ardhmen. Le të flasim hapur, një reformë të drejtësisë si atë të aprovuar në Shqipëri, vendet e tjera e bëjnë gjatë proçesit të negociatave të anëtarësimit, kështu që Shqipëria është goxha e avancuar në këtë drejtim, por s’ka përfunduar ende procesin.
-A jeni dakort me zotin Kukan për luftën kundër krimit të organizuar, kultivimit të kanabisit dhe trafikut të drogës në Shqipëri? Amendamenti i tij ishte i rreptë.
Është e qartë se lufta kundër krimit të organizuar së bashku me luftën kundër korrupsionit janë dy kritere për të cilat qytetarët shqiptarë kanë pritshmëri të lartë dhe jo zoti Juncker apo raportuesi për Shqipërinë këtu. Çdo qeveri shqiptare do të gjykohet mbi mënyrën se si sfidon luftën kundër krimit dhe korrupsionit.