CEZ, Berisha refuzon Ballën: Nuk betohem para një të dënuari për shpifje

Dënimi me dhjetë milionë lekë i Taulant Ballës për shpifje ka bërë që të shtyhet dje seanca e Komisionit Hetimor parlamentar për CEZ. Dëshmitari Shkëlzen Berisha nuk ka pranuar të bëjë betimin para Ballës, duke i kujtuar këtij të fundit se është në konflikt interesi, duke i rikujtuar këtij të fundit dhe vendimin e gjykatës për këtë çështje. Berisha i ka kërkuar Ballës që t’i lirojë vendin një tjetër deputeti dhe më pas ai do t’i bindej të gjitha procedurave që parashikon ligji në këto raste. Por Berisha tha se s’mund të bëjë betimin përpara një njeriu të dënuar nga gjykata për shpifje. “Pavarësisht se ky është një Komision politik që synon mbrojtjen e Edi Ramës për vjedhjen e 432 milionë eurove, këtë nuk e them unë e thotë KLSH, unë përsëri erdha në respekt të ligjit. Personi që e drejton këtë Komision, siç ju e dini shumë mirë është një i dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Apelit të Tiranës për shpifje ndaj personit tim. Jo vetëm është dënuar, por refuzon të zbatojë vendimin e gjykatës. Tani më thoni, nga të gjithë këta deputetë që ka Parlamenti, pse ky Komision duhet të drejtohet nga ai që është në konflikt të hapur interesi dhe është dënuar për shpifje ndaj meje. Unë nuk pranoj të bëj një betim para një njeriu të dënuar për shpifje. Zotëria mund të çohej dhe t’ia lironte vendin një nga kolegëve të tij, nuk deshi, sepse nuk është i interesuar për të vërtetën, por për interesin politik”, u shpreh Shkëlzen Berisha.
-E njihni zotin Nuel Kalaj?
Kam bërë disa deklaratë publike që ezaurojnë përtej çdo dyshimi faktin që unë as me zotin Kalaj as me zotin Ismaili nuk kam asnjë lidhje, as me aktivitetet e tyre dhe as punën e Komisionit. Nëse zotin Kalaj nuk e thërrasin se nuk e gjejnë dot, po zotin Ismailaj pse nuk e thërrasin në Komision, nuk e gjejnë dot se ku është?Kjo është e ezauruar.
-Zoti Berisha, kishte disa emaile ku përmendej emri juaj.
Nuk e di çfarë provash ka administruar ky Komision, asnjë prej jush nuk ka parë nëse këto prova kanë qenë të çertifikuara me origjinalin, kanë ardhur ta apostiluara, janë apo nuk janë prova reale nuk mund ta them dot.Unë kam bërë deklaratën publike, kam theksuar qartë se nuk kam asnjë lidhje as me personin dhe as aktivitetet e tyre dhe asgjë tjetër. Për fat të mirë kjo punë ka dëshmitarë, mund të pyeten të gjithë dhe mund të flasin.

Vendimi që shpalli Ballën shpifës

Edi Rama e vendosi në krye të Komisionit Hetimor për ÇEZ, si njeriun e tij të besuar. Duke pasur besim tek talenti i Taulantit dhe besnikëria e tij, ai u mundua që me anë të këtij Komisioni Hetimor, e vetë Edi Ramës dhe enturazhit të tij, kërkoi që të mbulonte me anë të propagandës së Taulant Ballës një nga megaaferat korruptive që i kanë shkaktuar një dëm shqiptarëve prej 550 milionë euro. Në korrik të vitit 2012, atëherë kur Rilindja ishte ende në opozitë dhe Taulant Balla dilte si vullnetar për të marrë përsipër çdo pisllëk që gatuhej në zyrat e Ramës, do të deklaronte se, “Do të zbardhim të gjitha pazaret, të gjitha parakontratat. I them sot kompanisë “Australin Lottery”, që tender-komedia e Ridvan Bodes, nuk vlen, ndërsa licencën që kanë rënë dakord me Zenin, ne do ta anulojmë dhe do t’ia kthejmë atë shqiptarëve. Nuk mund të lejojmë që shqiptarëve t’ju merret një pronë publike, prej më shumë se 100 milionë eurosh, se kështu ka rënë dakord Zeni në Austri”. Në bazë të kësaj dëshmie u hap një gjyq nga ana e Shkëlzen Berishës, rezultati i të cilit është një vendim i formës së prerë të Gjykatës së Apelit të vitit 2013 që e dënon deputetin e Librazhdit, me 10 milionë lekë gjobë ndaj Shkëlzen Berishës, detyrim që ende sot e kësaj dite nuk e ka shlyer. Por jo vetëm kaq! Pas ardhjes në pushtet të Rilindjes, deklarimet e Ballës jo vetëm që i mori era, por u vërtetua se një vit më vonë, motra e tij, Fjoralba Balla u angazhua në marketingun e kompanisë, dhe ka qenë drejtuese e projekteve sociale të Austrian Lottery, e njëjta kompani të cilën vëllai i saj e sulmonte se ishte nën hetim për korrupsion. Pra, vlen të theksohet, se vetë Balla ka vepruar si një gjobëvënës i rëndomtë, duke treguar gishtin tek të tjerët dhe duke përfituar nga e njëjta kompani.