Mungesa e barrierave në akset rrugore merr jetë njerëzish

Një ditë pas aksidentit tragjik në Fier me dy të vdekur dhe një të plagosur, banorët e fshatit Shën Pjetër japin alarmin për mungesën e barrierave mbrojtëse në urën nga ku ra automjeti. Edhe pse u vendosën rreth 1 vit më parë, këto barriera u vodhën e dëmtuan brenda një kohe të shkurtër, duke rrezikuar jetë njerëzish.
Ura në segmentin Hoxharë e Re-Fier ku mbrëmjen e së hënës humbën jetën dy persona e u plagos një tjetër, prej kohësh cilësohet si ura e vdekjes për banorët e fshatit Shën Pjetër dhe të zonave përreth.
Edhe pse barrierat mbrojtëse janë vendosur disa kohë më parë, ato janë dëmtuar dhe vjedhur, duke e kthyer këtë urë në një pikë të rrezikshme për qarkullimin e banorëve, por edhe të turistëve të shumtë që frekuentojnë fshatrat bregdetarë të Fierit. Banorët rrëfejnë se ky aksident nuk është i pari.
Emiliano Goxhaj dhe Silvana Alushaj humbën jetën, pasi automjeti tip “Benz” me të cilin udhëtonin doli jashtë rrugë dhe ra në kanalin poshtë urës. I plagosur ka mbetur edhe pasagjeri Hazis Hilaj, 35 vjeç. Gjithçka nisi si një shëtitje turistike e të treve dhe përfundoi në mënyrë tragjike.