Kosova, kreditë e këqija u ulën në 5.1%

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) deklaroi se sektori bankar regjistroi rënie të kredive joperformuese dhe përmirësim të mbulimit të tyre me provigjone. “Pjesëmarrja e kredive joperformuese në gjithsej kreditë e sektorit u zvogëlua në 5.1 për qind si rezultat i rënies vjetore prej 18.7 për qind të vlerës së kredive joperformuese, si dhe përshpejtimit të rritjes së gjithsej kredive. Kjo ndihmoi edhe në rritjen e mbulueshmërisë së kredive joperformuese me provizione, e cila u rrit në 122.1 për qind”, thuhet në raportin e fundit të BQK-së, për Vlerësimin Tremujor të Ekonomisë. Sipas BQK-së, sektori vazhdon të ketë nivel të lartë të kapitalizmit, me treguesin e mjaftueshmërisë së kapitalit që qëndroi në 18.3 për qind në shtator 2016. “Treguesi i likuiditetit shënoi rënie në krahasim me vitin paraprak, si pasojë e zbatimit të normës negative të interesit në rezervat e mbajtura nga bankat komerciale në BQK mbi rezervën e detyrueshme, e që rrjedhimisht ndikoi në zvogëlimin e vlerës së parasë së gatshme dhe bilancit me BQK-në gjatë kësaj periudhe. Megjithatë, sektori bankar vazhdon të shfaqë pozicion të kënaqshëm të likuiditetit”, thuhet në raportin e fundit të BQK-së, për Vlerësimin Tremujor të Ekonomisë.