FMN: Shqipëria vendi me më pak investime të huaja

Fondi Monetar Ndërkombëtar përditësoi së fundmi ecurinë e stokut të investimeve të huaja hyrëse për 2015 në 117 ekonomi, në të cilat është edhe Shqipëria.
Sipas statistikave të Fondit, Shqipëria në fund të vitit 2015 e ka stokun e investimeve të huaja hyrëse në 4.2 miliardë dollarë. Kjo është vlera më e ulët në rajon, duke përjashtuar edhe Kosovën.
Sipas FMN, edhe Maqedonia e Mali i Zi, që janë ekonomi më të vogla se ajo e Shqipërisë, e kanë stokun e investimeve të huaja hyrëse më të lartë se Shqipëria, përkatësisht me 4.8 dhe 4.5 miliardë dollarë.
Siç shihet nga të dhënat, stoku i investimeve të huaja hyrëse në Shqipëri më 2015 shënoi një rënie të lehtë me 8 milionë euro.
Sipas Fondit, investitori më i madh në Shqipëri mbetet Greqia, me 30% të totalit të stokut të investimeve ose 1,27 miliardë dollarë. Holanda me 706 milionë dollarë ose 17% të totalit të stokut, në vend të tretë është Turqia me 397 milionë euro ose 9% të stokut, në vend të katërt është Austria, me 350 milionë dollarë ose 8% të totalit dhe në vend të pestë është Italia, me 222 milionë dollarë.
Një vit më herët, më 2014, struktura e investimeve ka qenë krejt tjetër. Pas Greqisë, në vend të dytë ishte Kanadaja, nëpërmjet Bankers Petroleum, e cila më 2016 u ble nga kinezët e Geo Jade Petroleum.