Cikalleshi te Akhisar

Ndryshim planesh në ditën e fundit të merkatos për Sokol Cikalleshin. Bomberi i kombëtares, i cili ka vuajtur mungesën e aktivizimit në këto muajt e fundit me Istanbul Basaksehir shkon në huazim për pjesën e mbetur të sezonit te Akhisar Belediye, një lëvizje që është kushtëzuar nga strategjia e klubit nga Stambolli. Istanbul Basaksehir që kërkon këtë sezon titullin kampion zyrtarizoi në ditën e fundit të merkatos afrimin në skuadër të Emmanuel Adabeyor, sulmuesit togolez që ka luajtur më parë me skuadra prestigjioze si Arsenal, Tottenham, Real Madrid e Manchester City. Afrimi i 32-vjeçarit për 18 muajt e ardhshëm te Basaksehir do të reduktonte akoma më tepër shanset e Cikalleshit për t’u aktivizuar ndaj zgjedhja më e mirë për të gjitha palët është konsideruar huazimi i tij te Akhisar Belediye.
Adebajor qëndroi pa skuadër në 6 muajt e fundit pas përfundimit në verë të aventurës me Kristal Palasin. Ai mori pjesë në Kupën e Afrikës me përfaqësuesen e Togos, por kjo aventurë u mbyll që në fazën e grupeve, pasi Togo u rendit i fundit në Grupin C.
Gjatë pjesës së parë të sezonit, Çikalleshi kishte patur shumë pak hapësirë aktivizimi te Bashakshehiri, teksa përveç disa ndeshjeve në Kupën e Turqisë, shumicën e atyre të kampionatit i kishte ndjekur nga tribuna për shkak të rivalitetit të madh në sulm. Gjithsesi, ai ishte shprehur se ishte duke pritur shansin e tij për të treguar vlerat, por afrimi i Adebajorit i konfirmoi Çikalleshit që shansi për të nuk kishte për të ardhur kurrë.
Këtë sezon sulmuesi i Kombëtares ka luajtur vetëm në 11 ndeshje me Istanbuk Basaksehir, gjatë të cilave ka shënuar edhe 3 gola dhe tani shpreson të gjejë një vend fiks te Akhisar, skuadër e cila ndodhet në vendin e 12 të klasifikimit në Superligën turke, 4 pikë sipër zonës së rënies nga Kategoria dhe që ka vuajtur në fazën e parë në aspektin sulmues, duke patur rendimentin më të dobët në kampionat me vetëm 11 gola të shënuar. Aspekt për të cilin thirret në mision pikërisht Cikalleshi, i cili nga ana e tij do të gjejë shanset e aktivizimit dhe mundësinë për të konfirmuar aftësitë si një bomber klasi.
Me lëvizjen e re, Cikalleshi shpreson të gjejë formën e duhur dhe të rikthehet tek Bashakshehir i gatshëm për të luftuar për një vend në formacion. Gjithashtu kjo shihet si një dritare edhe për t’u rikthyer në kombëtare, pasi në grumbullimin e fundit sulmuesi nuk ka qenë pjesë e kuqezinjvë.
Ndërkohë, sulmuesin e talentuar kosovar Enis Bunjaki është huazuar për 6 muaj tek skuadra holandeze Tvente. Futbollisti 19-vjeçar, i cili ka qenë pjesë e kombëtareve të moshave të Gjermanisë, është rritur në akademinë e Eintraht Frankfurtit, por e kishte të vështirë të gjente hapësira në skuadrën e parë.