Verdiktin e japin qytetarët të udhëhequr nga opozita

– Zoti Berisha ishte një fundjavë ku u duk, nëse shprehemi në mënyrë figurative mund të themi se, “doli fundi i kazanit”, po Edi Rama dhe Ilir Meta vazhdojnë qeverisin bashkë dhe Ylli Manjani është ministri i shkarkuar. Ju me siguri dhe portalet mes pikëpyetjesh e paralajmëruan largimin e tij, ndërkohë ju u shprehët se fitoi Eskobari, duke ju referuar Klement Balilit, i cili është ende në kërkim i pakapur. Si e komentoni këtë zhvillim të këtyre dy-tre ditëve të fundit, si dhe deklaratat e zotit Manjani?
Ky zhvillim ndodh në një pseudomazhorancë, e cila është unike në planet, dy palë që nuk lënë intrigë pa bërë kundër njëra-tjetrës, nuk lënë akuzë pa bërë kundër njëra-tjetrës. Pretendojnë ose tallen me një vend ose tallen me një popull, tallen me një shoqëri, qëndrojnë në pushtet me ato vota si një organizatë e vërtetë kriminale. Mund të ketë patur njerëz që e kanë quajtur të rëndë këtë shprehje kur e kam thënë në fillim, bazuar në një libër të famshëm “Hajdutët e Shtetit” të Sarah Chayce, por çdonjëri që sheh zhvillimet në Shqipëri absolutisht kjo qeveri tejkalon qeverinë të cilës i kushtohet ky libër, ish-qeveria e Afganistanit dhe del kjo në vend të parë. Çfarë ndodh, çfarë po ndodh? Ministri i Drejtësisë, i cili për pozicionin që ka është dhe më i informuari nga të gjithë ministrat e tjerë, ka informacionin e të gjithë veprimtarisë të qeverisë dhe të shtetit, por ka dhe informacionin e burgjeve, të botës së nëndheshme që është dhe një nga burimet më kryesore për krimin, trafiqet dhe zhvillimet kriminale në një vend. Pra, ky ministër shkarkohet në kulmin e një krize që është kriza e Eskobarit, sepse, siç rezulton dhe unë më vjen keq, por e theksova dhe vetë, ky është i pari që ka kërkuar arrestimin e Balilit. Ky paguan çmimin. Natyrisht duhet të jemi realistë. Akuza të rënda mbi këtë mazhorancë këtë javë ka lëshuar dhe Lefter Koka, Vangjel Tavo. Por Lefterit u mjaftua duke i thënë qentë le të lehin. Jo se nuk tha gjërat më të rënda, por problemi është se videot e Kokës e shakullosin Ramën dhe gjysmën e udhëheqjes socialiste që në momentin që t’i teket atij t’i nxjerrë, dhe për Ramën i ka të plota ato.
Por kthehemi tek Manjani. Manjani është qartë viktimë kryesore e lidhjeve të krimit, e mbrojtjes dhe proteksionit të krimit. Por Manjani, kush ndoqi intervistën e tij, deklaroi një gjë të padëgjuar kurrë, që kryeministri firmos akte për gjëra që nuk kanë ndodhur, për mbledhje që s’janë mbajtur. Pra, kryeministri është një falsifikator i tillë saqë përdor fuqinë e ekzekutivit për të urdhëruar pagesa, zhvillime, për të paraqitur ndodhira, të cilat s’kanë ndodhur kurrë. Kryeministri pra shndërrohet, përdor fuqinë e ekzekutivit si një instrument kryesor për veten e tij për qëllimet e tij. Sepse një njëri, një kryeministër të firmosë vendime, akte për gjëra që nuk kanë ndodhur, ai vë veten e tij në këto akte dhe ndaj Manjani tha se me krijimin e SPAK ai do të flasë. Manjani, për pozicionin që ka patur, ka patur mundësi të ketë një vështrim mbi të gjithë sistemin e prokurimeve dhe koncesioneve apo vendimeve. Manjani ka pra, kështu të gjithë biografinë kriminale të kryeministrit shqiptar, të Niko Kapuranit, të Saje qorrit, të Damian hajdutit dhe me radhë e me radhë. Çfarë del këtu tjetër? Del këtu se që në këtë moment Ylli Manjani është njeriu më i kërcënuar i Shqipërisë, sepse me njohuritë e tij të pakufishme, ai, ekzistenca e tij përbën problemin më madhor për Edi Ramën dhe organizatën e tij kriminale të përbërë nga Saje qorri, Damian hajduti, Ilir Beqaj, Niko Kapurani siç po e quan Korça tani. Mendoj se në kushtet aktuale, një komision hetimor parlamentar, në të cilin Manjani të zbardhë për publikun shqiptar dosjen e tmerrshme të organizatës kriminale që quhet qeveri, aferat e mëdha të Edi Ramës që firmos vendime për gjëra që s’kanë ndodhur, vjedh pra me firmën e tij, situatën dhe informacionet e mëdha që ai ka. Një gjë duhet të kemi parasysh, se bota më e informuar nuk është kjo që shohim ne, nuk është as komuniteti i inteligjencës, nuk është as qytetari dixhital, bota më e informuar është bota e nëndheshme, bota e burgjeve. Ata janë një univers informacioni. Ndaj dhe del e domosdoshme krijimi me urgjencë i një komisioni hetimor parlamentar në të cilën zoti Manjani të bëjë transparencë duke i bërë një shërbim shumë të madh vendit, ndofta një nga shërbimet më të rëndësishme në 26 vitet e fundit.

– Nëse i marrim në mënyrë kronologjike ngjarjet, pra kemi kërkesën e zotit Meta për thirrjen e Këshillit të Sigurisë drejtuar Presidentit Nishani, i cili ka paralajmëruar se do të mblidhet, kemi një deklaratë të Vasilit, i cili i referohet takimeve që zoti Meta ka patur me zyrtarët amerikanë lidhur edhe me këtë çështje; kemi pastaj deklaratat e zotit Lefter Koka dhe të zotit Tavo, dhe më pas dhe ato të zotit Manjani. A ra Ilir Meta sot?
Pa diskutim që është një kapitullim pa kushte i të gjithë këtyre. Natyrisht unë kam thënë dhe e them. Kërkesa e Metës për të mbledhur Këshillin e Sigurisë Kombëtare ishte një kërkesë e drejtë. Këshilli sjell më shumë transparencë dhe uroj që kryetari i Këshillit, pra presidenti i Republikës të njohë publikun me shqyrtimin dhe konkluzionet e kësaj mbledhje. Historia e Balilit, e cila ish-ministri Manjani theksoi se ka një datë të rëndësishme që është 17 maj, ishte një histori unike. Edi Rama, Sajmir Tahiri ju thanë të gjitha përfaqësive diplomatike në Shqipëri dhe atyre jashtë Shqipërisë, se Eskobarit të Ballkanit nuk kemi ç’t’i bëjmë sepse e mbron Ilir Meta. Majde arritën deri aty sa e thanë se e fsheh Meta. Ilir mund ta ketë fshehur, ai mund ta ketë mbrojtur, por ka një problem. Ilir Meta, si kryetar Parlamenti ka zero fuqi ekzekutive mbi Policinë e Shtetit. Ilir Meta as nuk mund ta urdhërojë, as dhe s’mund t’ja bllokojë hetimin asaj. Atëherë, normal lindte ideja që këta po e përdorin, s’po e arrestojnë Balilin vetëm e vetëm që të mund të akuzojnë Metën. Unë nuk e di se çfarë i kanë thënë në Uashington Ilir Metës, por mosarrestimi i Balilit ishte kryekëput mbrojtje që i bënte Edi Rama dhe Sajmir Tahiri. Meta në një moment kërkoi mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, për të dëshmuar që janë të tjerët, të cilët po mbrojnë Balilin. U çudita kur pati njerëz që thanë se a duhej kjo mbledhje. Asnjë problem më madhor sot në rrafshin e sigurisë kombëtare se Balili nuk ka. Aq sa ishte Pablo Eskobari për Amerikën Latine, kaq është Balili për Ballkanin, për rajonin. U përpoq Rama me Tahirin duke përhapur lajmin se ja kishin besuar DEA-s arrestimin. DEA është një organizatë që kryeson në botë luftën kundër drogës, por secili vend ka detyrimin të arrestojë trafikantët e vetë. Pra, kjo është një organizatë kriminale. Manjani e tha, por e kam thënë dhe unë në Parlament, se partnerët, mbi bazë dosjesh të paktën tre herë kanë kërkuar largimin e Sajmir Tahirit nga kjo detyrë. Sepse ata kanë konstatuar lidhjet e tij të tmerrshme me krimin. Erdhi shefi i agjencisë qendrore të zbulimit të SHBA, takoi kryepolicin, por nuk takoi ministrin. Pra, nuk i kishte kredencialet për ta takuar.
A e dini pse nuk arrestohet Balili? Se Balili qenka kontraktor kryesor i Habilajve, i drogës së Balilajve, pra i drogës së Tahirit se çfarë është droga e Habilajve është e Tahirit. Këtu e kam informacionin që më ka ardhur këto ditë. Pra, një kupolë e tmerrshme krimi rëndon sot mbi çdo shqiptar. Këto zhvillime faktojnë katërcipërisht se krimi sot është qeveri.

– Zoti Basha deklaroi se SHBA nuk e mbështesin Ramën ndërkohë që në këtë situatë sa e fuqishme duket PD për të përfituar qoftë nga pikëpamja e krediteve qoftë në elektorat?
Unë mendoj se opozita së bashku me qytetarët shqiptarë do t’ja dalë me sukses të plotë të largojë këtë bandë nga qeverisja. Kjo është një bandë, është një organizatë kriminale. Cilido që mund të më thotë jo, i paraqes secilit koncesionet e Beqes, e Gjiknurit, veprimtarinë oskure të Niko Kapuranit, që hiqet si xhentëllmen, por i kapur nga të katër anët më thonë korçarët, nga banda famose e Partisë Siçiliste. Pra, janë qytetarët shqiptarë, të cilët pa diskutim, të udhëhequr nga opozita do të japin verdiktin. Çështja e qëndrimit të SHBA është një çështje themelore sepse Edi Rama, në një akt megakorrupsioni politik, i korruptuar nga Xhorxh Soros, i lejoi vetes të thotë në mediat kryesore të botës sharjet prej një halabaku politik, që s’i tha asnjëri në planet, ndaj presidentit aktual Donald Trump. Unë paraqita në Parlament dokumentet e qarta se si ndryshoi vota nga tetori në dhjetor. Edi Rama për çdo shqiptar përbën një rrezik serioz për sigurinë kombëtare dhe të ardhmen e vendit.

– A shkon Ilir Meta me Edi Ramën në zgjedhje?
Unë mendoj se shkojnë, por nuk mund të them me siguri se cili do të jetë kompozimi i koalicionit të tyre, por çdo lloj kompozimi kam bindjen se opozita e mbështetur nga qytetarët shqiptarë do t’i japë vendin e merituar.