Ballina Politikë Pollo: Po krijohet monopol mediatik në favor të Ramës

Pollo: Po krijohet monopol mediatik në favor të Ramës

Kryetari i Komisionit parlamentar të Medias, Genc Pollo e konsideroi mbledhjen e fundit të AMA-s ditën e premte, ku dhënia e licencës së fundit u bë me votim të thjeshtë, se po dëmton pluralizmin e medias. Në një vend me drejtësi normale, tha Pollo, kjo gjë nuk do të ndodhte, por garantoi se Komisioni i Medias do ta ndjekë ligjërisht këtë çështje.
“Përsëri për t’ia dhënë të njëjtës kompani që bëhet me katër licenca numerike, dy herë më shumë se Radio Televizioni Publik, me të cilat fare mirë mund të përjashtojë nga konkurrenca të gjithë të tjerët. Kuptohet që kjo nuk mund të merrej me shumicë të cilësuar siç e kërkon ligji dhe u mor me një shumicë të thjeshtë fatkeqësisht nga anëtarë të nominuar nga mazhoranca, çka përbën vepër penale. Normalisht po të kishim një gjyqësor funksional besoj se do të kishte përgjigje para drejtësisë për këtë që ndodhi”, tha Pollo.
“Lëshimi kompanisë Digitalb i licencës së katërt kombëtare numerike nga Gentian Sala dhe tre anëtarë të Këshillit të AMA-s (të gjithë të nominuar nga PS-LSI) është jo vetëm një skandal me pasoja të rënda për lirinë e medias e demokracinë, por edhe një vepër penale (shpërdorim detyre). Duke i dhënë vetëm një kompanie dyfishin e licencave që gëzon me ligj TVSH krijohet një monopol mediatik në televizione që fare lehtë mund të komandojë linjën editoriale të gjithë kanaleve TV, të cilat do të jenë të detyruara të mbarten tek Digitalb-i, në favor të vetes e në favor të padrinos politik Rama. Duke i dhënë një kompanie kaq licenca shkelet me dy këmbë neni 62 i ligjit të medias (siç ishte e siç është) që ndalon që një apo shumë licenca kombëtare t’i ketë një pronar i vetëm.
Duke e marrë vendimin me shumicë të thjeshtë G. Sala, P.Misha, G, Gjipali e Z.Bregu shkelën qartë ligjin e medias që parasheh shumicë të cilësuar për lëshimin e licencave. Ashtu sikur edhe Rama, me 71 vota në Kuvend, të ndryshonte Kushtetutën e të shpallej sulltan.
Në këtë fazë anulimin gjyqësor i këtij vendimi mbetet urgjencë. Po ashtu edhe ndjekja penale e banditëve me ofiq duhet të bëhet sa më shpejt.
Shtatë deputetë të Komisionit të Medias, të djathtë e të majtë, i shkruajtën prokurorit të Përgjithshëm para pak ditësh. Sot para faktit të kryer është koha për hapa të tjerë”, shprehet Pollo.
Ekspertët ndërkombëtarë ngritën alarmin për mënyrën se si janë dhënë licencat kombëtare dhe se si duhet të ndodhë ky proces në vendet evropiane. Duke sjellë përvojën e Spanjës, në një rast të ngjashëm me situatën në Shqipëri, eksperti Joan Barata tha se dhënia e licencave kombëtare duhet të bëhet përmes një procesi të hapur, të ndershëm dhe ligjor. Eksperti ndërkombëtar Joan Barata pasi njohu shqetësimet e operatorëve lokalë dhe rajonalë si dhe veprimtarinë e AMA tha se dhënia e licencave duhet jetë i hapur, i ndershëm dhe transparent.
“Proceset që jepen licencat nga Autoriteti i Mediave Audiovizive duhet të jenë të hapura dhe transparente në përputhje me ligjet dhe standardet ndërkombëtare. Referuar shembujve të ngjashëm në Spanjë, mendoj se AMA duhet të ushtrojë veprimtarinë e saj përmes një procesi të hapur, transparent dhe të ndershëm. Ata që kanë bërë aplikime më të mira për licencat kombëtare, duhet ta marrin atë, kjo duhet të ndodhë për mediat lokale dhe mediat rajonale”, tha Joan Barata.
Ndërsa eksperti i Këshillit të Europës, Claas Neukirch tha se, AMA po i jepet asistencë ndërkombëtare për mënyrën, për strategjinë që duhet të ndjekë gjatë procesit të dixhitalizimit.
Mediat lokale dhe rajonale ngritën edhe një herë shqetësimin para ekspertëve të huaj se tregu është monopolizuar dhe se po shkojnë drej falimentimit pasi nuk ka besueshmëri edhe në kontratën e tyre me TVSH për të transmetuar në njërën nga frekuencat kundrejt pagesës lënë nga televizioni publik.

Exit mobile version