Pato zgjedh milionat, pritet zyrtarizimi në Kinë

Aleksandre Pato pritet të zyrtarizohet në orët e ardhshme si futbollisti i ri i Tianzhin Kuanzhin në kampionatin kinez të futbollit. Klubi kinez ka një akord parimor për transferimin e tij nga Vijareal, për një shifër prej 18 milionë eurosh. Klubi spanjoll pranoi me shpejtësi ofertën aziatike për ish-futbollistin e Milanit dhe kombëtares braziliane, i cili në moshën 27-vjeçare duket vetëm hija e lojtarit, i cili në vitet e para cilësohej si “Ronaldo i ardhshëm”.
Gjatë qëndrimit te Vijareal, të cilit iu bashkua në verë, Pato ka shënuar vetëm 6 gola në 24 ndeshje, një bilanc që nuk do të bëjë të ndjehet shumë mungesa e tij. Ai pritet të nënshkruajë një kontratë trevjeçare në Kinë, ku do të përfitojë një rrogë bazë prej 6 milionë eurosh në sezon, pa llogaritur bonuset.