Maskat terror në Tiranë, lidhin rojen dhe grabisin një fabrikë

Tre persona të maskuar dhe të armatosur lidhin rojen e një fabrike në Vorë dhe grabisin një shumë të konsiderueshme parash. Sipas burimeve të policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:20 të ditës së djeshme në rrugën dytësore Vorë – Tiranë, tek fabrika e sheqerit “Kraco”. Sipas burimeve, tre personat me maska dhe të armatosur, të paidentifikuar nga policia, kanë hyrë nga muri i pasëm i godinës. Pasi janë futur në ambientet e brendshme të fabrikës, kanë lidhur rojen dhe i kanë marrë celularët, ndërsa më pas kanë hapur me forcë kasafortën ku kanë marrë 1.4 milionë lekë.
Në largim e sipër, ata thyen edhe zyrat e një biznesi të portave automatike, duke shkulur video regjistruesin e kamerave të sigurisë. Roja e biznesit tregon se, personat me maska e kishin lidhur dhe pasi i kanë marrë çelësin e kasafortës kanë marrë të gjitha paratë që ndodheshin në të. Më pas maskat janë larguar me shpejtësi me një makinë që i priste disa metra larg magazinës ku ndodhi ngjarja.
“Kam parë tmerr me sy. Tre personat e maskuar më kërcënuan dhe më lidhën me litar. Njeri prej tyre më vuri pistoletën në kokë dhe më detyroi që t’i jepja çelësat. Ata më morën të dy telefonat celular që kasha që të mos njoftoja pronarin dhe policinë. Pasi më lidhën, ata u futën brenda në fabrikë dhe grabitën të gjitha paratë që ndodheshin në kasafortë”, tregoi roja. Ai tha se në mëngjes kishin ardhur punonjësit e fabrikës dhe njoftuan policinë.
Në lidhje me ngjarjen, policia ka marrë deklarimin e rojes. Roja i ka thënë policisë se, personat ishin të maskuar dhe e kërcënuan e më pas e lidhën. Hetuesit kanë shoqëruar disa persona, por deri më tani ende nuk ka ndonjë të dhënë për autorët e mundshëm. Hetimet e para të policisë kanë hedhur dyshimet se, autorët mund të jenë liruar vetëm pak kohë më parë nga burgu, duke përfituar nga amnistia. Policia ende nuk ka rënë në gjurmët e grabitësve, ndërsa kamerat e sigurisë janë shkatërruar nga maskat për të mos lënë gjurmë në to.
Numri i grabitjeve është rritur frikshëm gjatë ditëve të para të këtij viti. Vetëm në dy javët e para të muajit janar janë kryer 5 grabitje në Tiranë, ndërsa policia nuk ka arritur të zbulojë autorët. Në mesin e muajit janar u grabit një bankë e nivelit të dytë në rrugën e “Dibrës” në Tiranë, duke thyer bankomatin e saj. Bankomati ndodhej vetëm disa metra larg komisariat të policisë ku punonjësit e rendit merrnin paratë. Kjo nuk është hera e parë, që e njëjta bankë bie pre e grabitjeve nga persona të maskuar e të armatosur. Një bankë e nivelit të dytë u grabit nga persona të armatosur para Vitit të Ri në Tiranë, ndërsa autorët nuk janë zbuluar ende.
Dy ditë para kësaj grabitje, maskat grabitën nën kërcënimin e armëve dy pika karburanti në Tiranë. Bëhet e ditur se 4 persona të armatosur dhe me maska kanë grabitur nën kërcënimin e armëve dy karburante që ndodhen në autostradën Tiranë-Durrës. Të dy ngjarjet e rënda kanë ndodhur në orët e para të mëngjesit, ndërsa policia i ka mbajtur të fshehta. Lajmi për grabitjen e dy pikave të karburantit u bë i ditur nga burime të policisë.
Po ashtu një dyqan celularësh u grabit në kryeqytet dhe në këtë rast, policia nuk arriti të zbulojë autorët. Grabitjet janë kthyer në një tmerr për biznesmenët, duke shkaktuar frikë dhe panik edhe tek qytetarët.

R.POLISI