Dortmundi ndalet nga Mainzi

Borussia e Dortmundit u ndal në një barazim 1-1 në fushën e Mainzit duke mos e rikuperuar vendin e tretë që iu rrëmbye nga Eintrachti i Frankfurtit. Edhe pse kaluan në avantazh që në fillim të sfidës, verdhezinjtë pësuan një gol në pjesën e dytë duke humbur dy pikë të çmuara. Marco Reus përmbylli me sukses një kundërsulm të shpejtë të skuadrës së Thomas Thuchel që në minutën e tretë. Andre Schurrle humbi mundësinë për ta mbyllur ndeshjen në minutën e 61-të, ndërsa 8 minuta para përfundimit të kohës së rregullt, Danny Latza kërceu bukur në shtyllën e dytë duke mos i dhënë asnjë shans portierit Burki. Në kohën shtesë Dortmundi për pak mund të kishte pësuar edhe të dytin, por topi i goditur nga Paplo de Blazis përfundoi ngjitur me shtyllën.
Në takimin tjetër të së dielës Friburgu fitoi 2-1 me Herthen e Berlinit, me gola të Heberer dhe Petersen, ndërsa finalizimi i Schieber vetëm një minutë pas finalizimit të dytë të vendasve nuk i shërbeu për asgjë Herthes, që pësoi humbjen e dytë radhazi në Bundesligë.