A po strehohet Balili në Tepelenë nën kujdesin e Tërmet Peçit dhe një shefi të PS

Partia Demokratike reagoi sërish për mos arrestimin e Klement Balilit, të kërkuarit nga Interpoli për trafik ndërkombëtar droge. Nëpërmjert një deklarate për mediat, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Arben Ristani deklaroi se, “Eskobari i Ballkanit”, është akoma i lirë dhe shtroi pyetjen, a po strehohet Klement Balili në Tepelenë, nën kujdesin e kryetarit të Bashkisë së Tepelenës, Tërmet Peçi dhe një shefi të PS-së?
“Pas presionit të hapur ndërkombetar për arrestimin e Klement Balilit dhe pasi u prishën për pazarin e ditës, PS dhe LSI kanë nisur sherrin dhe shfaqjen e radhës. Ndërkohë Klement Balili, i kërkuar nga gjysma e policive të Europës, nga DEA amerikane, i konsideruar nga CNN si “Eskobari i Ballkanit”, është akoma i lirë, duke kapur peshk nga jahti i tij e duke bredhur nga dasma në dasëm”, bëri të ditur Ristani.
Partia Demokratike e denoncoi emërimin e Klement Balilit në zyrat e shtetit, që në maj të vitit 2014. “Ne bëmë publike, prova, fakte, se si në vitin 2006, ky trafikant ishte kapur në një aksion të Forcave Speciale me helikopter, me 750 kilogramë drogë. Partia Demokratike kërkoi 36 herë në 2 vite e gjysëm largimin e Klement Balilit nga administrata shtetërore ku e emëruan Rama dhe Meta dhe vënien e tij para drejtësisë. E megjithatë, Rama dhe Meta, e mbajtën, e mbrojtën deri në fund, e mbrojtën edhe kur u shpall në kërkim nga Interpoli në maj të vitit 2016”, deklaroi ai.
Ristani tha se, Balili strehohet në Tepelenë nën kujdesin e kryetarit të Bashkisë së Tepelenës, Tërmet Peçi dhe një shefi të PS. “Sot, në vend që të lozin topa djegësi me Balilin, le t’i përgjigjen një pyetje të thjeshtë: A po strehohet Klement Balili në Tepelenë, nën kujdesin e kryetarit të Bashkisë së Tepelenës, Tërmet Peçi dhe një shefi të PS-së në Tepelenë, Dino Selemi, aktualisht edhe drejtor i Transportit të Gjirokastrës?”, përfundon deklarata e Sekretarit të Përgjithshëm të PD.
Balili u shpall në kërkim nga Interpoli që në 17 maj të vitit 2016 për trafik ndërkombëtar droge, por u la i lirë me urdhër të Ramës. Ndonëse ishte në kërkim, Balili jo vetëm që lëvizte lirshëm, por ai shoqërohej nga zyrtarë të lartë dhe oficerë policie, të cilët kishin për detyrë ta denonconin dhe ta arrestonin si një person të kërkuar për aktivitet kriminal.