Ballina Editorial Të drejtë mes kombesh

Të drejtë mes kombesh

Bujar NISHANI

Fillimisht dëshiroj t’ju falënderoj përzemërsisht për praninë tuaj të nderuar! Kjo është një ceremoni sa e veçantë, aq edhe emocionuese, sepse ka qenë qëllimi dhe dëshira ime prej vitesh që roli dhe kontributi i patjetërsueshëm i shqiptarëve në strehimin, mbrojtjen dhe shpëtimin e hebrenjve gjatë periudhës së errët të Holokaustit të vihet në pah botërisht dhe mbi të gjitha, të vlerësohet duke marrë nderimin dhe vendin e merituar në histori, të cilat u takojnë plotësisht. Në Talmudin e hebrenjve të lashtë shkruhet dhe kjo ka mbetur përjetësisht e gdhendur mbi shpirtrat e të gjithë atyre, që besojnë në moralin bashkëkohor të të gjitha feve monoteiste: “Ai që shpëton një jetë njerëzore, ka shpëtuar botën mbarë”! Kështu veproi Oskar Shindleri i famshëm, kështu vepruan me qindra, në mos me mijëra njerëz anembanë territoreve të pushtuara nga nazifashistët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Fatkeqësisht, me gjithë përpjekjet altruiste dhe heroike të shumë e shumë njerëzve anembanë botës, gjashtë milionë hebrenj, mes tyre edhe një milion e gjysmë të mitur, përfunduan në dhomat e gazit, nën plumbat e skuadrave speciale apo edhe të varur, të mbytur e të shkelur me këmbë nëpër rrugët e qyteteve të ndryshme të Evropës, por këto nuk ndodhën jo nëpër rrugicat e Tiranës apo të Vlorës, të Beratit, të Shkodrës, të Prishtinës apo të Mitrovicës. Kurrsesi jo! Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe.
Sot, me rastin e Ditës Botërore të Kujtesës së Holokaustit, jemi mbledhur pikërisht për të kujtuar, nderuar dhe vlerësuar në emër të shtetit tonë modern, ata shqiptarë – “Të drejtë mes kombesh, – të cilët me mikpritjen, bujarinë e me besën tradicionale që na ka karakterizuar në rrjedhën e shekujve, vunë veten dhe familjet e tyre në rrezik, vetëm e vetëm për të shpëtuar qoftë edhe një jetë të vetme njerëzore. Poeti ynë kombëtar, At Gjergj Fishta, e ka portretizuar në mënyrë të përsosur natyrën bujare e mikpritëse të shqiptarit në kryeveprën e tij “Lahuta e Malcis”, pikërisht në këngën e “Marash Ucit”: “Të huajin me fjalë mos ta poshtëroni, bukën para, por t’ia shtroni, në shqiptari siç është zakoni…”.
Si do të kishte qenë bota sot sikur të gjithë të ishin sjellë pikërisht ashtu siç vepruan shumica e shqiptarëve në atë kohë apo edhe e danezëve, një pjesë e holandezëve, suedezëve apo partizanëve polakë, të cilët ngritën krye bashkë me hebrenjtë rebelë në Geton e Varshavës? Mund t’ju them që pa asnjë mëdyshje do të kishte qenë edhe më e mirë seç është sot, sepse ata një milion e gjysmë fëmijë, sot e kësaj dite do të kishin qenë prindër, gjyshër, xhaxhallarë dhe teze të milionave të tjerë, të cilët ndoshta do t’i kishin dhuruar njerëzimit shumë më tepër njerëzillëk, mirëkuptim, harmoni dhe dashamirësi mes feve dhe kombësive të ndryshme, të cilave njerëzit natyrshëm u përkasin.
Eli Vizel, nobelisti i Paqes dhe përkrahës i luftës çlirimtare dhe pavarësisë së Kosovës, i mbijetuari i kampit famëkeq të shfarosjes së Aushvicit, përvjetorin e 72-të të çlirimit të tij që po përkujtojmë pikërisht sot, ka shkruar duke i bërë thirrje kujtesës sonë: “…jeta e një dëshmitari, i cili beson se ka detyrimin moral që të përpiqet me të tëra forcat për ta ndaluar armikun të shijojë edhe një fitore të fundme dhe të fshehë krimet e tij nga kujtesa njerëzore”.
Terrorizmi, antisemitizmi, nazizmi, fashizmi, stalinizmi, enverizmi – pothuajse të gjitha “izmat” e kësaj bote kanë lindur nga padituria, nga mosnjohja, nga frika prej atyre që janë ndryshe nga ne. Hebrenjtë dhe shqiptarët ndoshta janë shumë më ndryshe nga popujt e tjerë, por kanë disa tipare të ngjashme me njëri-tjetrin dhe një histori të pashembullt vuajtjesh, sprovash, por mbi të gjitha: një histori triumfi ndaj padrejtësive dhe mbijetese kombëtare. Të dy kombe të vegjël. Të dy popuj të përndjekur, të shtypur nga tiranët e historisë, por që të dy mbijetues, të paktën deri në shekullin e njëzetenjë, pavarësisht armiqve të shumtë shekullorë dhe përpjekjeve të pareshtuara për t’i shfarosur e për t’i zhdukur nga harta botërore.
Historia nganjëherë është e pamëshirshme, por asaj i duhet bërë ballë me dinjitet, me burrëri, me stoicizëm, ashtu siç i bënë ballë dhe mbijetuan hebrenjtë dhe shqiptarët në historinë e tyre. Le të mos harrojmë që në kohën e krizës dhe gjenocidit serb në Kosovë, shteti i Izraelit ishte i pari që u hodh në veprim duke ndihmuar politikisht, financiarisht dhe logjistikisht. Skenat e shpërnguljeve masive të vëllezërve dhe motrave tona në Kosovë, sidomos vagonët e trenave apo varganët njerëzorë mes dëborës, ngricës dhe acarit duke kapërcyer më këmbë male, kodra dhe fusha gjatë gjenocidit, u krahasuan menjëherë me eksodin biblik të hebrenjve dhe përndjekjen e tyre gjatë Holokaustit.
Albert Ajnshtajni ndoshta shpëtoi me anë të një pasaporte shqiptare të lëshuar me zemërgjerësi nga autoritetet shqiptare gjatë Mbretërisë së Ahmet Zogut. Në këtë vend gjetën strehë dhe shpëtuan nga bisha naziste qindra, për të mos thënë mijëra hebrenj në arrati e sipër. Një keqardhje shtetërore do të desha ta shpreh për pamundësinë e shpëtimit të albanologut të vyer, Norbert Joklit, i cili fatkeqësisht përfundoi në kthetrat naziste, pavarësisht apeleve dhe thirrje për ndihmë të intelektualëve shqiptarë të kohës, sidomos atyre të shkolluar e të brumosur në Austri. Megjithatë njeriu bën aq sa ka mundësi. Shqiptarët bënë të pamundurën. Të paimagjinueshmen. Prandaj ata – të paktën me dhjetëra syresh, – sot janë shpallur dhe konsiderohen me plot meritë si: “Të drejtë mes kombesh”!
Andaj është në nderin dhe privilegjin tim, si kryetar i shtetit shqiptar, t’i vlerësoj e t’i shpall të gjithë ata që duke mbrojtur qoftë edhe një jetë të vetme, shpëtuan mbarë njerëzimin: “Nder i kombit” shqiptar!
Ju faleminderit ju, trashëgimtarëve të tyre, si dhe përjetësisht veprës dhe kontributit të pashembullt njerëzor të të parëve tuaj! Të nderuar qofshi dhe ju faleminderit!

Exit mobile version