Milani e huazon Niang te Watford

Mbaye Niang largohet zyrtarisht nga Milani. Futbollisti francez është transferuar në Premier League te Watfordi, që do të paguajë 750 mijë euro për huazimin nga kuqezinjtë deri në fund të sezonit, me klubin anglez që do të ketë mundësinë e blerjes për 18 milionë euro, sigurisht në bazë të performancës së futbollistit. 22-vjeçari kaloi vizitat mjekësore paraditen e të enjtes, për t’u zyrtarizuar më pas nga skuadra që drejtohet nga italiani Walter Mazzarri.
Largimi i Niang nga Milano lë një vend bosh në organikën e kuqezinjve. Administratori i Deleguar i Milanit, Adriano Galliani, po punon për të gjetur një zëvendësues të denjë të francezit. Zgjedhje e parë mbetet Ocampso i Genoas, por bisedimet janë ndërlikuar shumë, sepse presidenti Preziosi nuk ka një zëvendësues për argjentinasin, në vend të të cilit preferonte pikërisht Niang.
Milani ka arritur marrëveshjen me Genoan për huazimin e Lucas Ocampos, i cili do të zërë vendin e lënë bosh nga M’baye Niang. Gjithsesi, zyrtarizimi do të vijë vetëm nëse Genoa do të marrë Palladinon nga Crotone. Administratori i deleguar i Milanit, Adriano Galliani, ka bërë të ditur se kuqezinjtë kanë vetëm Ocamposin si objektiv. Nëse nuk vjen ai, skuadra do të qëndrojë siç është. Deri tani, në merkaton e janarit, Milani ka afruar në skuadër portierin Marco Storari dhe sulmuesin Gerard Deulofeu, të dy në formë huazimi.