Koncesionet e reja, pritet privatizim i porteve

Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës ka shpallur të martën një kontratë koncesionare për shërbimet e anijeve detare me rimorkiator për portet më të mëdha të vendit
Kontrata koncesionare do të përfshijë shërbimet detare në Portin e Durrësit, Shëngjinit, Vlorës, Sarandës, Romano Port dhe atë të Petroliferës në Vlorë si dhe të gjitha portet e hapura në Shqipëri për një periudhë 5-vjeçare.
Sipas dokumenteve të bëra publike nga Ministria në Agjencinë e Prokurimit Publik, kontrata koncesionare ka një vlerë prej 191.8 milionë lekë.
Objekti i kontratës do të jetë financimi, rehabilitimi, operimi, mirëmbajtja dhe transferimi i së drejtës së operimit dhe pronësisë së shërbimit të anijeve detare në formën ROT.
Sipas Ministrisë të katër portet shtetërore në vend (Durrës, Vlorë, Shëngjin dhe Sarandë) kryejnë një vëllim mesatar vjetore të ngarkim-shkarkimit në rreth 3 milionë ton, ndërsa presin rreth 1.4 milionë  pasagjerë në vit.
“Porti i Durrësit mbetet porti më i madh i anijeve në Shqipëri, duke realizuar rreth 90% të totaleve ngarkim – shkarkimit në vitin 2012, ndjekur nga Shëngjini, Vlora dhe Saranda”, shkruan Ministria në shpalljen e kontratës.
“Porti i Shëngjinit ka arritur të mbajë një rritje të qëndrueshme, ndërsa aktiviteti i Portit të Sarandës është i kufizuar”, shton ajo.
Ministria nënvizon se koncesionari fitues i tenderit duhet të shtrijë veprimtarinë e vet të shërbimit në të gjitha portet e hapura të Republikës së Shqipërisë që janë në veprimtari.
Përzgjedhja e kompanisë fituese do të mbështetet në 6 kritere, ku përfshihen çmimet për çdo shërbim, cilësia e pajisjeve hidromekanike, elektrike, komandimit, koha e vënies në shfrytëzim, ndikimi social dhe mjedisor, si dhe vlera e tarifës koncesionare e shprehur në përqindje të të ardhurave dhe fuqia e rimorkiatorëve.