Ekspozohet “Katar 2022”, abuzime me punëtorët në stadium

Si të mos mjaftonte çështja kontroverse e ryshfeteve dhe ndikimit të FIFA-s, për organizimin e Botërorit të vitin 2022, Katari është përballur shpesh me rastet e abuzimeve të mijëra punëtorëve të varfër, që ndihmojnë në ndërtimin e stadiumeve.
Historitë e 4 prej emigrantëve ekonomikë në mbretërinë e pasur me naftë kanë qenë fokusi i filmit dokumentar “Kupa e Punëtorëve”, të lançuar në “Sundance Festival”. “Workers Cup” tregon historinë e ganezit Kenet, si dhe shokëve të tij nga India, Kenia dhe Nepali, që erdhën për një grusht dollarësh më shumë në Katar, por u përballën si mijëra të tjerë me kushte çnjerëzore jetese, mohimin e të drejtave themelore, e shumë probleme të tjera.
“Ne ishim të fokusuar, përveç këtyre, edhe në mallin që emigrantët kanë për familjet, për lënien jashtë pjesës tjetër të shoqërisë për vepra madhore, si stadiumet e Botërorit”, tha regjisori Adam Sobel, ish-rezident në Katar.
Më shumë se 1.6 milionë emigrantë ekonomikë, sipas grupeve humanitare, trajtohen në kushte ekstreme në mbretërinë e pasur të Gjirit Persik. Në filmin e shfaqur, emigrantët ëndërrojnë për t’u bërë futbollistë në stadiumet që ata po ndërtojnë vet.