Brazil mposht 1-0 Kolumbinë. Goli për viktimat e Chapecoenses

Kombëtarja braziliane e futbollit mundi 1-0 Kolumbinë, në një miqësore në nderim të viktimave të tragjedisë ajrore që thuajse shfarosi ekipin e Chapecoenses dy muaj më parë. Sfida prestigjioze e programuar në Rio de Janeiro synonte të mblidhte të ardhura për familjet e futbollistëve, që humbën jetën në malet kolumbiane, por bileta u shitën për më pak se gjysma e stadiumit me kapacitet 45 mijë vende.
Impianti “Niltos Santos” u zgjodh nga organizatorët për ndeshjen miqësore, një përballje emocionuese për lojtarët, tifozët dhe sidomos kombin brazilian, më pak se 8 javë nga tragjedia ajrore.
Vetëm 6 persona mbijetuan nga fluturimi fatkeq që mbante ekipin e Chapecoenses, e një prej tyre, portieri Jakson Follmann ishte i pranishëm në stadium, në një karrige me rrota, pas këmbës së amputuar. Kompania mediatike “Globo”, më e madhja në Brazil, tha se sponsorët do të garantonin 1.2 milionë dollarë për familjet e prekura nga tragjedia. Sulmuesi Dudu, që militon me Palmeiras, shënoi golin e vetëm të miqësores, që pati edhe vërshëllima.