Bajerni me mungesa

Kampionët në fuqi të Gjermanisë, Bajerni i Mynihut të shtunën do të luajë një transfertë të vështirë përballë Werder Bremenit. Në një konferencë për mediat para ndeshjes, trajneri Carlo Ançeloti ka konfirmuar dy mungesa të rëndësishme në kampionatin bavarez.
“Vidal dhe Thiago nuk janë gati për ndeshjen e nesërme, por i kam në plan për ndeshjen me Schalken. Coman është gati, por jo nga fillimi. Ribery apo Costa? Është e vështirë për mua të lë lojtarë në stol, mbi të gjitha lojtarë profesionistë si Franck. Është në formë të mirë, mund të luajë pa probleme. E njëjta gjë edhe për Douglas. Këtë javë, Costa ishte në stërvitje më mirë sesa javën e kaluar. Jam i kënaqur me të gjithë lojtarët në stërvitje, por nuk mund të luajnë të gjithë. Kanë karakteristika të ndryshme, por janë të dy të mirë për skuadrën. Formacionin e vendos në varësi të lojtarëve të mi, jo të kundërshtarit”, u shpreh tekniku italian.
Momentalisht pas 17 javësh, skuadra e Bjernit të Mynihut kryeson Bundesligën me 42 pikë të grumbulluara, 3 më shumë se RB Leipzigu i vendit të dytë.
Mediat gjermane kanë filluar të raportojnë se Carlo Ançeloti mund të largohet në verë të vitit 2019, kur edhe i skadon kontrata dhe kampionët e Gjermanisë mund të udhëhiqen nga trajneri i Hoffenheim, Julian Nagelsmann. Por, të gjitha këto i ka hedhur poshtë ish-trajneri i Real Madridit, Carlo Ançeloti, i cili ka thënë se Nigelsmann mund të bëhet trajner i Bayernit vetëm pas 10 apo 20 vjetësh.
“Do të doja që ai të bëhej trajner i Bayern një ditë”, tha fillimisht Ançeloti në konferencën për media. “Ndoshta ai do të bëhet trajner i Bayernit pas 10 ose 20 vjetësh. Ai ka kualitete dhe po bën punë të mirë momentalisht. I dëshiroj gjitha të mirat. Por, unë shpresoj që qëndroj këtu edhe për 10 vite, pse jo edhe 20”, tha mes tjerash Ançeloti.
Mesfushori i Bajernit të Mynihut, Arturo Vidal në fund të sezonit do të largohet nga Gjermania. Është e përditshmja italiane “Corriere dello Sport”, e cila ka zbuluar marrëveshjen e fshehtë të kilianit me skuadrën e Chelseas.
Së fundmi, Vidal është duke marrë leksione për të mësuar gjuhën angleze, një tjetër fakt që e bën akoma edhe më të besueshëm transferimin e tij në “Stamford Bridge”. Skuadra e Chelseas është treguar e gatshme të ofrojë plot 70 milionë euro për ‘yllin’ bavarez. Transferimi i Vidalit drejt Chelseas bëhet akoma edhe më i besueshëm për shkak të marrëdhënieve të shkëlqyera që ka me ish-trajnerin e Juventusit, Antonio Conten.