Ballina Kryesore 1 mijë familje shqiptare u bënë strehë për hebrenjtë

1 mijë familje shqiptare u bënë strehë për hebrenjtë

Fatos Qoqja, 67 vjeç, është në pension. Familja e tij është njëra nga rreth 35 familjet shqiptare që janë evidentuar të dekorohen nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani për kontributin që kanë dhënë për strehimin dhe mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kreu i shtetit ka marrë shkas për këtë nderimin nga 27 janari, ndërkombëtarisht e përkujtimit të viktimave të Holokaustit. Ditë kur Shqipëria ka një vend të veçantë në hartën e popujve që treguan mikpritje dhe solidaritet për hebrejtë në periudhën e tyre më të vështirë të shfarosjes masive nga nazizmi.
Babai i Fatosit, Beqir Qoqja, ka qenë rrobaqepës i njohur në Tiranë. Tek dyqani i tij në qendër të qytetit më 13 gusht 1943 mbërriti Avrami, një hebre i zhvendosur nga Greqia. Beqiri pati një lehtësi komunikimi me Avramin, sepse edhe ai e njihte gjuhën greke. Menjëherë e fshehu në shtëpi. Nga rreziku i asaj periudhe, pas rreth një jave, përmes disa miqve të tij, arriti ta zhvendosë ilegalisht Avramin nga Tirana, duke e dërguar në një zonë malore të Krujës, në Mukje. Aty ai qëndroi derisa mbaroi lufta për t’u rikthyer sërish në Tiranë.

Besnikëria e ditëve të vështira u shndërrua në respekt reciprok

Fatosi thotë për “Deutsche Welle”-n se familja e tij dhe e Avramit ishin mjaft të lidhura, duke i ndarë të gjitha gëzimet dhe hidhërimet së bashku. “Ki parasysh që në dasmën time apo të vëllait ata ishin në një vend të nderuar dhe të gjithë e dinin që ishim si një familje, sepse kishim dhënë prova të besnikërisë në ditë të vështira, e kjo ishte shndërruar në respekt reciprok. Në vitin 1991 kur Avrami bashkë me bashkëshorten dhe djalin vendosën të largohen për në Izrael, kjo ka qenë mjaft prekëse për të dyja palët. Atëherë kuptuam realisht se sa të afërm ishim shpirtërisht. Kontaktet i kemi mbajtur edhe më vonë dhe për familjen Qoqja ata mbeten të paharruar. Ne jemi krenarë që në këtë 27 janar respektohemi nga Presidenti i Republikës për një akt bujarie dhe besnikërie që si familja jonë e kanë treguar dhe shumë të tjera në Shqipëri”.
Prof. Petrit Zorba ka 15 vite që drejton Shoqatën e Miqësisë Shqipëri-Izrael. Ai thotë se për përkujtimin e viktimave të Holokaustit apo evidentimin e kontributit të popullit shqiptar për të mbrojtur hebrenjtë në Luftën e Dytë Botërore do të bëhet përmes disa aktiviteteve që zhvillohen nga Ministria e Jashtme, Fakulteti i Histori-Filologjisë në Tiranë apo dhe organizata e subjekte të tjera.

Synohet të mbahet gjallë kujtesa historike

“E dukshme është që në këto vitet e fundit nuk është vetëm shoqata si ideatore dhe nxitëse e veprimtarive, por ka dhe aktorë të tjerë, në nivel lokal a qendror. Synohet që përmes eventeve të ndryshme të mbahet gjallë kujtesa historike, sidomos tek gjeneratat e reja, për ato kohë të çmendurisë kolektive, të shfarosjes në masë të njerëzve të pafajshëm. Por nga ana tjetër për të nxjerrë në pah një fakt historik të pranuar brenda dhe jashtë vendit: për rolin e jashtëzakonshëm të shqiptarëve në mbrojtjen e hebrenjve. Pikërisht evidentimi i familjeve dhe individëve është konsideruar si një akt mirënjohje dhe konsiderate për ata që janë përfshirë”, thotë prof. Zorba për “Deutsche Welle”-n.
Për përfaqësuesit e Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Izrael evidentimi i familjeve që kanë strehuar dhe mbrojtur hebrenjtë nuk është i lehtë, pasi një pjesë e njerëzve kanë lëvizur brenda ose jashtë vendit. Gjithsesi mendohet se numri i këtyre familjeve shkon në rreth 1 mijë.
“Nuk ka qenë një fenomen sporadik, fragmentar, si të thuash në një numër të caktuar familjesh në vend. Jo. Hebrenjtë kanë gjetur strehë, kanë gjetur ngohtësi në ato ditë të zymta dhe me rrezik të lartë për jetën e tyre dhe të të afërmve të tyre nga rreth 1 mijë familje shqiptare. Pra, jemi në rrethanat e një dukurie të përhapur, që tregon dhe konfirmon një tipar, një karakteristikë të dukshme të një populli. Mos harroni që këtë e kanë thënë dhe mjaft studjues dhe kërkues të huaj, të cilët kanë mbetur të mahnitur nga rasti shqiptar”.
Shoqata aplikon formate të larmishme veprimtarish në përkujtim të viktimave të Holokaustit, përmes hapjes së ekspozitave fotografike dhe dokumentare, nderimit dhe dekorimit për familjet mikpritëse, publikimeve historike, informative, prezantimeve mediatike, aktiviteteve të përbashkëta me Muzeun Historik Kombëtar, Arkivin e Shtetit dhe institucioneve të tjera, pjesëmarrje në veprimtari ndërkombëtare për këtë qëllim etj.

Nishani: Ata, që shpëtuan edhe një hebre të vetëm, janë “Nder i kombit”!

Kreu i Shtetit, Bujar Nishani vlerësoi dje gjatë një ceremonie të veçantë të zhvilluar në institucionin e Presidentit të Republikës në Ditën Ndërkombëtare të Kujtesës 35 familjet dhe individët shqiptarë, të cilët strehuan hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Në këtë veprimtari përkujtimore dhe vlerësimi ishin të pranishëm autoritetet më të larta të shtetit: Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, nënkryetarja e Kuvendit, Valentina Leskaj, deputetë, anëtarë të qeverisë, ambasadorë dhe përfaqësues të Trupit Diplomatik të akredituar në vendin tonë, përfaqësues të bashkësive fetare, të Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Izrael, si dhe familjarë të këtyre familjeve të nderuara shqiptare që strehuan hebrenjtë.
Presidenti i Republikës i akordoi dekoratën “Nder i Kombit”: “Në vlerësim të aktit heroik e të pashembullt njerëzor për shpëtimin e hebrenjve nga përndjekja naziste në Shqipëri; për rolin dhe kontributin e paçmuar në lartësimin e vlerave të rralla e tradicionale shqiptare të mikpritjes, bujarisë dhe besës, si dhe për konsolidimin e harmonisë dhe bashkëjetesës shumëshekullore fetare të kombit tonë: Familjes Balla (Destan dhe Lime); Familjes Biçaku (Mefail dhe Njazi); Familjes Boriçi (Shaqir, Qamile dhe Bahrije); Familjes Budo (Shyqyri dhe Xhemile); Familjes Çiftja (Agostin dhe Gjysepina, Margarita, Qezarina, Gjovana dhe Gjon); Familjes Frashëri (Yshref, Emine dhe Mehmet); Familjes Hoti (Fife Gjylbegu, Hasan, Çele dhe Vehbi Hoti); Familjes Hoxha (Rifat dhe Fejzie); Nuro Hoxhës (pas vdekjes); Familjes Hoxha (Shaban, Savet dhe Hilmi); Familjes Kadiu (Besim dhe Aishe); Familjes Kasapi (Zyrha dhe Hamdi); Mikel Kilicës (pas vdekjes); Kasem Jakup Kocerrit (pas vdekjes); Familjes Kona (Vasil dhe Kristina); Mihal Lekatarit (pas vdekjes); Familjes Meça (Sulejman dhe Zenepe); Muasil Dulajt (pas vdekjes); Familjes Myrto (Abdulla, Ije dhe Shyqyri); Familjes Nosi (Vasil, Kelkira, Stiliano dhe Adelina); Familjes Orgocka (Paskal dhe Lefkothea); Familjes Panariti (Isuf dhe Niqi); Familjes Pilku (Njazi dhe Liza); Beqir Qoqjës (pas vdekjes); Asllan Rezniqit (pas vdekjes); Familjes Ruli (Metin, Aziz, Shpresa dhe Ali); Familjes Sharri (Faik dhe Sabrije); Familjes Sheko (Stavro dhe Nora); Ali Sheqer Pashkaj (pas vdekjes); Familjes Shkurti (Petro dhe Magdalena); Eshref Shpuzës (pas vdekjes); Familjes Toptani (Atif dhe Ganimet); Familjes Veseli (Hamid, Xhemal, Vesel, Fatime dhe Refik); Familjes Xhyheri (Qamil dhe Hanume); Familjes Zyma (Besim dhe Hiqmete).

Exit mobile version