Vila 1.6 milionë euro e Vlahutin e sherri me Daden për Presidencën

Romana Vlahutin është e para ambasadore e BE-së në Shqipëri, e cila blen një pronë të patundshme me fondet e Bashkimit Evropian. Nuk e ka bërë as paraardhësi i saj Vitorio Sequi dhe askush tjetër. Në praktikën e këtij misioni, shtëpitë jo vetëm për ambasadorin që është kreu i tij, por edhe për të tjerët rezidentë në vendin tonë dhe gjithkund merren me qira. Madje, ka personel të veçantë, i cili kujdeset për akomodimin e diplomatëve apo punonjësve të misionit në vendin tonë. Eshtë ky personel që merret me gjetjen e shtëpive me qira, mobilimin e të tjera me radhë. Natyrisht për të gjitha paguan Bashkimi Evropian. Po përse një gazetë që drejtohet nga djemtë e deputetes Dade sulmoi ambasadoren Vlahutin, kur më parë ka qenë po kjo gazetë që ka marrë në mbrojtje deri në ekstrem të njëjtin individ? Cilat interesa ju prishën familjes Dade në këtë rast që i bëri të nxjerrin dokumentat e vilës. Natyrisht nëse do të ishte një betejë parimore gazetareske, kjo do të ishte për t’u përshëndetur, pasi korrupsioni nuk njeh ngjyrë dhe ai duhet goditur. Shuma prej 1.6 milionë eurosh e paguar nga Bashkimi Europian për një vilë superluksoze të ambasadores Vlahutin ka ngjallur një reagim të fortë në opinion dhe ka treguar anën tjetër të Kryetares së Delegacionit, e cila duket se është rehatuar mirë me luksin në Shqipëri. Ajo që nuk dihet është se përse ky konflikt mes Dades dhe Vlahutin. Këtu hyjnë interesat politike dhe pazaret e pista brenda mazhorancës. Burime nga mazhoranca shprehen se Dade konsiderohet si një emër i mundshëm për Presidente dhe që është në tavolinën që PS i ka vendosur Ilir Metës. Në fakt edhe Meta ka një simpati për Artën. Vendosja në fokus e Dades për postin e kreut të shtetit nga mazhoranca natyrisht ka rënë në veshët e diplomatëve. Të njëjtat burime saktësojnë se Vlahutin nuk e ka pritur mirë këtë kandidaturë. Kjo ka sjellë edhe reagimin e gazetës që në fakt drejtohet nga Dade, por që është nën komandën e pushtetit. Vila 1.6 milionë euro është vërtet një skandal, por edhe Dade kandidate për Presidente është në fakt një superneveri.

Akuza

Një gazetë e akuzoi dje Vlahutin për blerjen e një banese në fshatin më luksoz të Shqipërisë, Rolling Hills, të një vile me sipërfaqe ndërtimi 345 metra katrorë për një çmim stratosferik prej 1 milion e 649 mijë euro. Media në fjalë është shumë e afërt me rilindjen, dhe botuesi i saj shumë i afërt me mazhorancën. Ai quhet Alban Dabulla, biznesmen në fushën e ndërtimit dhe është djali i deputetes Arta Dade. Por përse duhej që një gazetë, e cila ka zëvendësuar gazetën zyrtare të PS të ndërrmerte një sulm ndaj diplomates, e cila është shfaqur hapur në mbrojtje të kreut rilindas. Burime nga mazhoranca bëjnë me dije se prej kohësh emri i Arta Dades qarkullon brenda Rilindjes si kandidaturë potenciale për postin e presidentit të Republikës. Madje, një aspiratë të tillë e konfirmoi vetë zonja Dade në një intervistë të dy ditëve më parë. Por kjo kandidaturë ka hasur në kundërshtinë e fortë të zonjës Vlahutin, e cila me sa duket është përfshirë në grindjet konjukturale brenda PS-së. Kjo ka bërë që gazeta e drejtuar prej djalit të zonjës Dade të hidhet në sulm, duke e akuzuar hapur për korrupsion Vlahutinin. Arta Dade është një nga ato deputetet më të vjetra të PS-së, por që nga të ardhurit e rinj shihet si “xhaketë e vjetër” brenda PS-së. Një katapultim drejt Presidencës, do i jepte fund dilemës së saj për ekzistencën ose jo në listat për deputet në zgjedhjet e ardhshme, por do fashiste dhe një luftë të mundshme mes kryerilindasit dhe djemve të saj që drejtojnë gazetën që ka zëvendësuar “Zërin e Popullit”. Por rruga për ta mbyllur me nder kapitullin e saj në politikë po pengohet nga vetë Vlahutin, e cila i është bashkuar grupit që kundërshton një zgjedhje të Dades në postin e kreut të shtetit. Gazeta e Dades një ditë më parë hidhte hije dyshimi mbi një marrëveshje korruptive, kur thoshte se çmimi e ka kaluar disa herë vlerën reale të kësaj vile. Dhe vërtet, vila më e shtrenjtë në këtë kompleks nuk e kalon vlerën e 850 mijë eurove, por nëpër faqet e internetit ka vila të tjera që variojnë nga 350 deri në 500 mijë euro që gjithsesi nuk janë shifra të vogla. I çuditshëm është fakti se në lidhje me këtë çështje, tentoi të fliste në janar të vitit të shkuar dhe rrjeti investigativ BIRN (rrjet i sponsorizuar nga Fondacioni Soros), por çështja u mbyll shpejt. BIRN kish lajmëruar se do të paraqiste dokumenta, të cilat hidhnin dritë mbi këtë aferë, por nuk i publikoi kurrë ato. Madje, lajmi për blerjen e vilës që lançoi asokohe BIRN, nuk gjendet as në sitin zyrtar të saj, është zhdukur sikur nuk ka ekzistuar kurrë…

Problemet me deklaratën e pasurisë të Vlahutin

Për Romana Vlahutin, nuk është hera e parë që vihet në qendër të skandaleve. Në vendin e saj Kroaci, Komisioni për Parandalimin e Konfliktit të Interesit deklaroi se, Vlahutin nuk kishte deklaruar pasurinë siç e kërkojnë ligjet e vendit të saj. Ja se çfarë shkruhej në deklaratën e këtij komisioni që është i ngjashëm me ILDKPKI në Shqipëri. “Zyrtarja Romana Vlahutin i ka sjellë Komisionit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit informacionin për gjendjen pasurore për shkak të përfundimit të funksionit të saj si këshilltare e Presidentit të Kroacisë për Punët e Jashtme, që në librin e postës së hyrjes së Komisionit tregon datën 22 tetor 2014. Në përputhje me nenin 23 të Ligjit Për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, komisioni ka kryer kontrollin administrativ të të dhënave të informacionit dhe ka vërtetuar se, zyrtarja Romana Vlahutin nuk e ka plotësuar në mënyrë të plotë dhe të saktë formularin me të dhëna për gjendjen pasurore të zyrtarit, duke pasur parasysh këtu që nuk ka shkruar nr. e amzës dhe pagën mujore bruto. Në pjesën e të dhënave mbi pasurinë në pikën 1 për pasuritë e paluajtshme, zyrtarja nuk ka shkruar të dhënat për adresat e pasurive të paluajtshme, si dhe në pikën 6 nuk ka dhënë shumën neto dhe bruto të pagës vjetore, ndërsa në pikën 10 nuk ka shkruajtur detyrimin e zyrtarit për të shkruajtur të dhënat për huadhënësin (kreditorin) e kredisë për strehim “Ligji e detyronte Ambasadoren Vlahutin që ta deklaronte pasurinë e saktë 15 ditë, pasi të njihej me kërkesën. Komisioni e ka bërë kërkesën më 13 shkurt 2015. Deri më 6 nëntor të atij viti, komisioni nuk kish marrë asnjë përgjigje, duke bërë që komisioni të hapë dhe procedurat e hetimit kundër Vlahutin.

Tallavaja politike e Vlahutinit dhe PS-së!

Zonja Vlahutin në fakt njihet për “tallavanë” e saj politike në vendin tonë. Përgjatë vitit të kaluar na u shfaq si një mbrojtëse e zjarrtë e vettingut të famshëm, duke mbyllur sytë para çdo fenomeni tjetër negativ shqiptar. Aq shumë u investua zonja në fjalë në mbrojtje të mazhorancës, sa nuk ishte çudi që ta ngatërrojë me ndonjë nga deputetet e PS-së, si fjala vjen Olta Xhaçka apo Ermonela Felaj. Megjithatë, faktet po tregojnë dita-ditës se vettingu janë identike me atë çka ndodhi në Ukrahinë, ku u shpenzuan 11 miliardë dollarë dhe një e treta e kësaj shume kaloi nga Fondacioni Soros. Gjithsesi këtë do e tregojë koha! Ndërkohë që aktiviteti i zonjës Vlahutin duket se po shtrihet dhe në çështje të brendshme brenda PS-së, ku zëri i saj duket se ka peshë jo të vogël. Ende nuk dihen qëllimet e zonjës Vlahutin, dhe kush është kandidati i saj i preferuar për të qenë në krye të shtetit, por ajo që dihet është se ka ndezur keq inatin e zonjës Dade, të cilës po i prish ëndrrën e saj presidenciale. Në fakt zonja Dade dhe djali i saj nuk është hera e parë që e përdorin gazetën për luftë politike brenda llojit. Jo më shumë se para një viti, ndërrmori një sulm ndaj ministrit të Brendshëm Sajmir Tahiri, me porosi të Erion Veliajt. Ky fakt u konfirmua dhe më shumë kohët e fundit, kur emri i Alban Dabullës u përfol gjatë udhëtimit luksoz me çarter drejt Parisit, ku djali i Arta Dades rezultoi një nga shoqëruesit dhe sponsorët e Veliajt dhe Maznikut.

Vlahutin ka paguar dhe 96 mijë euro të tjera për qiranë!

Ndërsa ambasadorja e Delegacionit të BE-së, Romana Vlahutin është në epiqendër të skandalit për blerjen e vilës luksoze të Delegacionit të BE-së në shumën e 1.6 milionë eurove, një tjetër kontratë kompromentuese ekspozohet.
Në fillim të vitit 2015, biznesmeni Laert Duro dhe Vlahutin kanë rënë dakord për një kontratë qiraje me vlerë të këstit 8 mijë euro në muaj. Kjo kontratë parashikonte që Delegacioni i BE-së do të paguante 8 mijë euro çdo muaj për shfrytëzimin e vilës, ndërsa Delegacioni kishte kohë 1 vit që ta blinte vilën. Sipas kësaj kontrate qiraje, nëse ndodhte që Delegacioni nuk do e blinte vilën për një vit, atëherë kishte detyrimin që të shfrytëzonte për 8 vite me qira vilën. Detyrimi vjetor i qirasë llogaritet në 96 mijë euro.
Kontrata-tip është ekspozuar dje nga kandidati për Avokat të Popullit, Altin Goxhaj, i cili u shpreh për Hashtag.al se:
“Kjo kontratë tip është siguruar me USB nga burime të BE-së, nga zyrtarë korrektë që kanë interes në zbardhjen e kësaj afere”.
Kontrata e qirasë rëndon edhe më tepër historinë e blerjes së kësaj rezidence. Kontrata e qirasë zbardh detyrimin e kripur që Delegacioni i BE-së kishte marrë përsipër ndaj biznesmenit që shiste vilën në rast të mos blerjes.
Pse kjo këmbëngulje për të gjetur rezidencë vetëm tek kjo vilë? Cilat ishin opsionet e tjera?
Pikërisht këtu duket se është dhe problemi kyç i kësaj historie, sepse delegacioni i BE-së nuk e ka praktikë blerjen e rezidencave të banimit. Nga ana tjetër çmimi i vilës i zbardhur në kontratën e shitjes prej 1.6 milionë euro është afro dyfish më i lartë se vlera e tregut.
Por dhe çmimi i qirasë i nënshkruar prej zonjës Vlahutin rezulton dyfish më i lartë nga mesatarja e tregut në bllokun rezidencial ‘Rolling Hills’.

Hashtag.al

 

Koçijançiç: Vila 1.6 milionë euro ishte opsioni më i mirë

Ambasadorja e BE në Tiranë, Vlahutin u është përgjigjur përmes Maja Koçijançiç, zëdhënëses së BE akuzave për vilën luksoze. “Vendimi për të zgjedhur rezidencën e Kreut të Delegacionit të BE-së në Shqipëri erdhi si konkluzion i një analize tërësore, që përfshiu një vëzhgim të tregut, një vlerësim nga një ekspert i pavarur dhe këshillimin e Oficerit Rajonal të Sigurisë së EEAS (Shërbimit të Veprimit të Jashtëm Evropian) në lidhje me aspektet e sigurisë. Ky ishte opsioni më i mirë lidhur me raportin e përgjithshëm cilësi/çmim dhe përmbushjen e nevojave të ndërtesës si rezidencë e Kreut të Delegacionit të BE-së, si siguria, lehtësirat dhe afërsia me Delegacionin e BE-së. Vendimi u miratua nga Autoriteti Buxhetor i BE-së në janar 2015. Është e një rëndësie shumë të madhe për institucionet e BE-së që buxheti të jepet në mënyrë korrekte, transparente dhe me raportin më të mirë cilësi-çmim”, tha Koçijançiç