Tonelata mollë në Korçë dhe Devoll pa shitur, fermerët në prag falimenti

Tonelata mollë në Korçë dhe Devoll mbeten pa shitur. Fermerët janë në prag falimentimi, por bashkë me to dhe dhomat frigoriferike që magazinojnë këto fruta deri sa ato të bëhen gati për eksport. Molla ka mbetur stok, ndërsa kostot për këto biznese janë rritur duke u vënë në vështirësi të mëdha financiare. Siç shprehen biznesmenët, sa më shumë qëndrojnë mollët pa shitur aq më shumë vlera ato humbasin, çmimi bie, ndërsa kostot e këtij biznesi mbeten njëlloj.
Biznesmenët thonë se stoku është krijuar si pasojë e futjes së mollës së importit me çmime shumë më favorizuese në treg se ato vendase, ata i kërkojnë qeverisë masa të menjëhershme në mbështetje të prodhimit vendas.
Për këtë situatë u vu në dijeni dhe ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, i cili u takua me biznesmenët e dhomave frigoriferike. Panariti siguroi se qeveria do të bëjë çmos që prodhimi aktual i mbetur stok të shitet brenda disa ditësh, ndërsa u kërkoi fermerëve të jenë më fleksibël me çmimet. Në Devoll, funksionojnë mbi 10 dhoma frigoriferike, ku prodhimi kryesor është molla.
Ndërkohë, prodhimet e fermerëve të Divjakës janë dëmtuar masivisht nga ngricat, ndërsa Bashkia dhe qeveria nuk jep asnjë dëmshpërblim. Një nga fermerët i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha ku shprehet se, prodhimet janë dëmtuar të gjitha nga ngricat dhe nuk kanë lekë për bukë dhe jo të mbjellin përsëri. Në një postim në Facebook Berisha shkruan: Fermeri dixhital denoncon shkatërrimin masiv të prodhimit nga ngricat në Gungas të Divjakës, braktisjen e plotë nga qeveria dhe mashtrimet e saj për dëmshpërblim!
Berisha u bën thirrje fermerëve që të ngrihen në protestë para Kryeministrisë. “Ju bëj thirrje fermerëve të organizohen në protestë të sjellin prodhimet e tyre para Kryeministrisë si dëshmi e mashtrimit nga Nastradin Rama!”, shkruan Berisha, duke publikuar mesazhin e fermerit dhe fotot e prodhimeve të dëmtuara nga ngricat. “Këto janë dëmet nga ngrict e forta në fshatin Gungas të Bashkisë Divjakë. Zotëria që i ka hedhur vetëm dy herë ka shitur dhe tani nuk ka lekë jo që ta mbjellë përsëri, por edhe që të hajë bukë. Asnjë punëtor i Bashkisë nuk ka ardhur t’i shohë këto dëme që t’i vejë një çmim që të dëmshpërblehet që të ushqehet. Dhe këto janë vetëm të një fermeri, pasi ka edhe disa të tjerë, të cilët nuk kanë shitur aspak mall dhe i është prishur dhe i duhet ta hedhin. Kjo është një katastrofë për fermerët. Ju lutemi ta publikoni që të gjithë të marrin vesh se ç’shtet kemi ne. Një shtet që na ka hequr bukën e gojës”, shkruante fermeri.
Para pak ditësh ishte një fermer nga Vlora që denoncoi qeverinë për mosdhënien e dëmshpërblimit të serave dhe gjendjen dramatike të dëmtimit të prodhimeve.