Tjetër tragjedi nga ndërprerja e energjisë, vdes fëmja 2 muajsh

Një tjetër tragjedi ka ndodhur nga ndërprerja e energjisë elektrike. Bëhet e ditur se, një foshnjë 2-muajshe ka ndërruar jetë në qytetin e Durrësit nga i ftohti. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në lagjen nr.4 të qytetit bregdetar. Foshnja 2-muajshe është gjetur e vdekur në banesën e familjes Bajrami. Kryefamiljari prej kohësh kërkonte punë, por nuk kishte arritur të gjente, ndërsa banesa e familjes ishte në kushte mizore, me lagështi, pa asnjë kusht. Të afërmit bënë të ditur se prindërit e foshnjës jetonin në një banesë pa ngrohje dhe pa asnjë mjet jetese. OSHEE i kishte ndërprerë dritat prej rreth një viti, sepse ata nuk kishin asnjë mundësi të paguanin faturat e energjisë.
Babai i foshnjës, Ermal Bajrami dhe familjarë të tij tregojnë se si e gjetën të vdekur djalin në orët e para të mëngjesit. “Kemi ndenjtur deri në orën 4 të mëngjesit me të, më pas kur u ngritëm në orën 8 të mëngjesit kishte vdekur. E kishim çuar në spital, na dhanë një shurup”, u shpreh babai i foshnjes.
Familja Bajrami jetonte me lëmoshët që u jepnin njerëzit. Prindërit e saj të moshës 22 dhe 17 vjeç ishin të papunë dhe lypnin pranë portit. Nëna 17-vjeçare e foshnjës lypte bashkë me foshnjen e saj në të ftohtë. Sipas Policisë së Durrësit, foshnja i seksit mashkull ka pasur një vdekje natyrale. Foshnja dyshohet të jetë ftohur gjatë fillimit të muajit janar, kur temperaturat e ulëta pllakosën vendin.
Një 31-vjeçar nga Kamza i dha fund jetës mesditën e së hënës, në pamundësi për të paguar faturën e energjisë elektrike. Viktima Klajdi Muça duhej të paguante faturën 800 mijë lekë në mënyrë që OSHEE-ja të mos i priste dritat. Por, ai e kishte të pamundur të paguante një shumë kaq të madhe parash për shkak të kushteve të vështira ekonomike. “Ku kam mundësi unë të paguaj kaq para? Veç të vras veten…” Këto kanë qenë fjalët e fundit të 31-vjeçarit Klajdi Muça, në zyrën e OSHEE-së në Kamzë, që janë dëgjuar nga dhjetëra dëshmitarë mesditën e së hënës.
I gjetur përballë kushteve të rënda ekonomike, i riu i dha fund jetës, duke u varur në një pemë në oborrin e shtëpisë. Familjarët u shprehën se ngjarja ka ndodhur për shkak të problemeve të shumta ekonomike, pasi viktima ishte edhe i papunë dhe gjatë kohës që ishte në burg i ishin mbledhur shumë borxhe.
Drama e varfërisë dhe papunësisë po çon drejt vetëflijimit mjaft qytetarë. Varfëria, faturat e fryra të energjisë elektrike dhe pamundësia për t’i paguar ato kanë shkaktuar mjaft viktima gjatë qeverisjes së “Rilindjes”. Viktima si pasojë e mospagimit të faturave të energjisë ka patur në Tiranë. Lezhë, Lushnje, Elbasan e mjaft qytete teë tjera të vendit. Qeveria jo vetëm që nuk u siguron punë qytetarëve, por u ndërpret edhe energjinë elektrike duke i çuar drejt vetëflijimit.
Një i ri i ka dhënë fund jetës mbrëmjen e të mërkurës në Tiranë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Sauk të Tiranës, kur 23-vjeçari me inicialet R. M., ka vendosur që t’i japë fund jetës, duke u vetëvarur në banesën e tij. Kanë qenë familjarët e tij që e kanë gjetur të pajetë 23-vjeçarin. Më pas është njoftuar policia, e cila ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet. I riu i ka dhënë fund jetës rreth orës 18:00 të mbrëmjes së djeshme dhe sipas policisë, ai e ka marrë këtë vendim në kushtet e një tronditje të rëndë mendore.

Një fëmijë 3 vjeç vdiq në spitalin e Beratit nga gripi, fshihet ngjarja

Një fëmijë 3 vjeç ka vdekur në spitalin e Beratit, por ngjarja është mbajtur e fshehtë nga autoritetet. Denoncimi publik është bërë nga këshilltari i opozitës së Bashksië Berat, Namir Lapardhaja nëpërmjet postimit në rrjetin social Facebook.
“Si qytetar, prind i dy vajzave, por dhe si njeri i angazhuar publikisht, dua të denoncoj këtu sot, përpara jush, një fakt shumë të rëndë, ndodhur tre ditë më parë, dhe mbajtur fshehur në mënyrë flagrante dhe kriminale: në Spitalin Rajonal të Beratit ka vdekur, si pasojë e gripit, një fëmijë 3 vjeç.
Ky fakt është mbajtur i fshehur dhe nuk është treguar nga drejtuesit e institucionit. Nuk është zbatuar procedura dhe për këtë rast ende nuk ka filluar asnjë hetim. Nuk dua e nuk po fajësoj askënd. Në mjekësi njihen raste të tilla, mirëpo fshehja e tillë është krim më vete që fajëson drejtpërdrejt institucionin. Uroj që pas këtij denoncimi Prokuroria të fillojë hetimin, përgjegjësit të dalin përpara ligjit dhe e drejta të vihet në vend. Fëmija është marrë i vdekur në krah, nga nëna, dhe kjo e bën edhe më të dhimbshëm të gjithë ngjarjen. Jam i shokuar. Uroj të ketë një reagim pas kësaj”, shkruan Lapardhaja në një postim në Facebook.

R.POLISI