“Tirana” pengohet të stërvitet

Pasditen e së mërkurës nëpërmjet një njoftimi në faqen zyrtare grupimi i tifozëve “Tirona Fanatics” lajmëruan që të enjten në orën 14:00 do të ishin të pranishëm në ambjentet e fushës sërvtitore “Skëndër Halili” për të protesuar pas vendimit të klubit Tirana që në stadiumin “Selman Stërmasi” të luajë dhe Partizani në pjesën e mbetur të këtij edicioni. Afërsisht 200 tifozë i ishin përgjigjur thirrjes së grupimit dhe u prezantuan në fushën e stërvitjes, duke grumbulluar skuadrën dhe duke diskutuar në lidhje me ata për situatën. Tifozët kishin zgjedhur 2-3 përfaqësues për t’u komunikuar atë që ata e konsiderojnë një vendim. “Ju nuk do të stërviteni këtu, nëse Partizani luan në stadiumin “Selman Stërmasi”. Sa të jemi ne gjallë nuk ka për të ndodhur”, u shprehën tifozët.
Fillimisht protesta ishte me tone paqësore, madje një deklaratë e trajnerit Josa: “Unë nuk dua që Partizani të luajë aty u shoqërua me borohorima”. Befas tifozët dhe lojtarët filluan të replikonin me njëri-tjetrin dhe e gjitha kjo u shndërrua në një moment irritimi. Gilman Lika, ishte ai që i konsideroi të papranueshme fyerjet e tifozëve dhe në këmbim mori dhunë nga ana e tyre.
Pothuajse të gjithë lojtarët u përfshinë në debate verbale dhe në fyerje të ndërsjellta me tifozët. Presidenti Refik Halili nuk ishte i pranishëm në këtë situatë, ndërkohë që në këto kushte ishte e pamundur të zhvillohej një seancë e qetë stërvitore dhe ajo përfundimisht u ndërpre. Ngjarja zgjati rreth 45 minuta dhe për aq kohë sa situata ishte e nderë forcat e policisë nuk ishin të pranishme në ambjentet e fushës stërvitore.
Disa prej tifozëve që godasin futbollistin shkodran të Tiranës, Gilman Lika. Ndërsa, në mbrojtje të tij kanë ndërhyrë disa të tjerë, mes të cilëve edhe Alban Rexha, personazhi i njohur i “Kafazit të Artë” dhe ish-futbollist i Partizanit.
Pjesa dërrmuese e tifozëve shpërthyen në akuza ndaj numrit 1 të klubit të Tiranës. Shumëkush e cilësoi një turp të vërtetë këtë situatë, ndërsa nuk kanë munguar thirrjet që të bojkotoheshin ndeshjet e skuadrës. Për disa të tjerë, cilësohej e papranueshme për mbështetësit e kësaj skuadre që të shihnin Partizanin në të ardhme të festonte një titull të mundshëm në atë që e cilësonin “shtëpinë” e tyre.