Thellohet skandali i AMA-s

Deputeti i Partisë Demokratike, anëtar i Komisionit të Medias, Luçiano Boçi thotë se Autoriteti i Mediave Audiovizive ka bërë gati vendimin për të rihapur votimin për dhënien e licencës së fundit numerike të mbetur.
Sipas tij, vendimi merret ndërkohë që procesi ligjërisht konsiderohet i përfunduar. Sipas deputetit të opozitës, ligji përcakton qartë që licencat jepen nga AMA me shumicë të cilësuar, por shton se ky institucion “nuk pyet as për ligj dhe as për rregullore, madje as për kuorum”.
“AMA ka bërë gati vendimin, që do ta marrë nesër, në mbledhjen e radhës, për të rihapur votimin për dhënien e licencës së fundit numerike të mbetur, ndonëse procesi ligjërisht konsiderohet i përfunduar.
Madje kësaj here me votim të thjeshtë. Sipas saj janë konsumuar dy votime me shumicë të cilësuar, sipas Kodit të Procedurave Administrative dhe në votimin e tretë vendoset me shumicë të thjeshtë.
Këtu ‘flinte dhe lepuri’ i votimit ilegal që u bë para disa ditësh, pra në konsumimin e votimit të dytë. Më datë 29 janar AMA do të veprojë sipas këtij skenari me vendimmarrje me shumicë të thjeshtë.
Por Ligji 97/2013 në nenin 19/1b e përcakton qartë që licencat jepen nga AMA me shumicë të cilësuar. Ndërsa rregullorja në nenin 20/3 thekson se kundër vendimit të AMA-s palët i drejtohen gjykatës.
AMA nuk pyet as për ligj e as për rregullore. Madje as për kuorum.
Po i kujtoj AMA-s që ajo prej shumë kohësh nuk merrte vendime për shkak të kuorumit dhe akuzonte PD për vonesat e kalimit të miratimit të tri anëtarëve të AMA në Komisionin e Edukimit.
Me këtë vendim ‘koburja’ e Ramës AMA plotëson ‘amanetin’ e tij për të monopolizuar tregun mediatik dhe për t’ia ‘vënë në kokë’ këtë kobure lirisë së mediave”, thotë Boçi në një reagim në Facebook.