Stoltenberg: Mali i Zi së shpejti anëtar i NATO-s

NATO Secretary General Jens Stoltenberg

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg është i bindur që edhe Shtetet e Bashkuara do e pranojnë anëtarësimin e Malit të Zi në NATO. “Kam besim se Protokolli i Anëtarësimit (i Malit të Zi në NATO) do të ratifikohet nga Senati (amerikan). Ai tashmë e ka kaluar Komisionin e Senatit për Marrëdhënie me Jashtë dhe ka përkrahje nga të dy partitë politike, prandaj nuk kam ndonjë arsye të besoj që nuk do të ndodhë kështu edhe në Senat”, ka thënë dje Stoltenberg pas takimit me kryeministrin malazez, Dushko Markoviç.
Stoltenberg ka thënë se ky Protokoll tashmë është ratifikuar nga 21 shtete, ndërsa dje edhe Senati francez e miratoi atë.
“(Pas Francës) do të bëhen 22 shtete. Dhe ne presim që shtetet e tjera ta bëjnë të njëjtën, por natyrisht, iu takon parlamenteve kombëtare të vendosin saktësisht se çfarë duan të bëjnë. Por, unë pres që të gjitha parlamentet, përfshirë edhe Senatin amerikan, ta bëjnë këtë që Mali i Zi të bëhet anëtar i plotë i NATO-s në një të ardhme të afërt”, ka thënë Stoltenberg.