Shkolla 9-vjeçare në Krujë drejt shembjes, rrezikohen 200 nxënës

Shkolla 9-vjeçare “Vesel Brama” në fshatin Kurçaj të rrethit të Krujës rrezikon shembjen dhe u rrezikon jetën rreth 200 nxënësve. Stafi pedagogjik i shkollës pohon se, kushtet sa vijnë e përkeqësohen, ndërkohë që përveç premtimeve, askush nuk ka ndërhyrë për sistemimin e godinës. Drejtuesit e shkollës shprehen se kanë vënë në dijeni Bashkinë e Krujës dhe Ministrinë e Arsimit, por nuk është marrë asnjë masë.
Mure të çara, suvatime të rëna, xhama të thyer, dhe energjia elektrike e cila mungon prej vitesh në këtë shkollë, janë panorama e përditshme për rreth 200 fëmijë që mësojnë në këtë shkollë.
Një prej mësuesve të shkollës 9-vjeçare, thotë se gjendja e godinës, u rrezikon jetën fëmijëve që mësojnë në të. “Muret e kësaj klase janë të çara, jo vetëm të klasës së parë, por dhe të gjithë shkollës dhe paraqesin një rrezikshmëri për fëmijët. Nga dita në ditë çarja e mureve po zmadhohet. Kemi kërkuar nga komuniteti për ndërtimin e kësaj shkolle, na janë dhënë shumë premtime, por në realitet nuk është bërë asgjë deri më tani”, shprehet mësuesja.
Një tjetër rrezik për të vegjëlit që mësojnë në shkollën 9-vjeçare të Kurçajt, janë dhe rrëshkitjet e herë pas hershme të masiveve të dheut, që prekin pjesën e sipërme të godinës.
Ndërkohë, Konvikti i Studentëve në Elbasan është përshirë mëngjesin e sotëm nga zjarri. Flakët mësohet se janë konstatuar në një nga dhomat e konviktit, ku është djegur një dyshek nga rezistenca që përdorej për ngrohje. Në momentin e ngjarjes mësohet se nuk ka pasur asnjë student në dhomë dhe fatmirësisht nuk ka asnjë të lënduar. Zjarrfikësja ndodhet në vendngjarje dhe po punon për shuarjen e zjarrit.
Rënia e zjarreve është përhapur shumë gjatë ditëve të fundit. Katër ditë më parë një grua, nënë e një fëmije humbi jetën në ashensor në një pallat në Tiranë si pasojë e rënies së zjarrit. Ndërsa ditën e djeshme një banesë është përfshirë nga flakët në kryeqytet. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Hoxha Tasim”. Fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar, por vetëm dëme materiale. Tre zjarrfikëse mbërritën në vendin e ngjarjes, të cilat bënë të mundur shuarjen e flakëve. Nuk dihet shkaku i rënies së zjarrit.