Reali në krizë!

Real Madrid i ka dhënë lamtumirën që në çerekfinale Kupës së Mbretit, duke mos arritur të kualifikohet mes katër skuadrave më të mira të turneut. Për ekipin e Zinedin Zidan ka rezultuar fatale sfida e dyfishtë me Selta Vigon, një skuadër që rezultoi një “kockë e fortë” për madrilenët e përgjysmuar nga dëmtimet.
Ata duhej të përmbysnin humbjen 2-1 në fushën e tyre, edhe pse u mungonin lojtarë kyç si Beil, Modriç, Marcelo dhe Karvahal, të gjithë të dëmtuar. Ronaldo humbi mundësinë për t’i dhënë avantazhin skuadrës së tij me një gabim të dyfishtë në minutën e 27 të ndeshjes, kur goditi brenda pak çastesh traversën dhe shtyllën, edhe pse me portë të boshatisur. Reali e pagoi shtrenjtë këtë gabim të portugezit që mund të ndryshonte rrjedhën e lojës, pasi në fundin e pjesës së parë, Guideti realizoi golin e avantazhit që bënte më të thjeshtë kualifikimin për Seltan.
Ronaldo shleu atë gafë të rëndë me një perlë në minutën e 63, kur ekzekutoi një goditje dënimi perfekte që nuk i la shteg portierit Alvarez. Por pavarësisht dominimit të madrilenëve në minutat e mbetura, ishte Selta Vigo që realizoi golin e avantazhit 2-1 me Uas kur mbeteshin pak minuta nga vërshëllima përfundimtare. Dukej gjithçka e mbyllur, por Lukas Vazkez barazoi rezultatin në 2-2 kur regjistrohej minuta e 90 duke bërë që në “Balaidos” të përjetoheshin disa çaste ankthi, pasi Realit i mjaftonte një gol për të kaluar në turin tjetër.
Megjithatë ai gol nuk erdhi dhe Selta festoi kualifikimin në gjysmëfinalen e Kupës, ku për momentin kanë kaluar edhe Atletiko Madrid dhe Deportivo Alavesh. Gjysmëfinalistja e katërt do të përcaktohet pas sfidës Barcelona-Real Sociedad, me katalanasit që kanë fituar 1-0 duelin e parë.
Zinedine Zidane përpiqet të evitojë panikun pas eliminimit të Realit të Madridit nga Kupa e Mbretit. “Patëm shanse që nuk i shfrytëzuam, por do ta ndryshojmë këtë apekt. Nëse punojmë fort do të arrijmë gjëra të mëdha. E vetmja gjë që na mbetet të bëjmë është të kthejmë vëmendjen të fokusuar te ndeshjet që na presin. Jemi ende në dy kompeticione në lojë për të fituar”, u shpreh Zidane.