Prokurori Tola i shpëton vettingut

Nisja e zbatimit të ligjit të Vetting-ut po jep efektet e para. Prokurori i Krujës, Sulejman Tola ka paraqitur dorëheqjen pranë Presidencës. Dorëheqja ka ardhur pasi vetë prokurori me vullnet të lirë, siç edhe e parashikon ligji i Vetting-ut ka refuzuar të deklarojë pasurinë. Prokurori ka dorëzuar një dokument në ILDKP, ku pohon vullnetin për të mos e dorëzuar formularin e vetë deklarimit të pasurisë. Në argumentin e përdorur nga prokurori në refuzimin për t’i nënshtruar Vetting-ut, ai thotë se e bën këtë pasi për pak muaj del në pension. Kushtetuta në nenin G, që është neni i fundit i saj, u jep një mundësi njerëzve të sistemit të drejtësisë që të japin dorëheqjen nëse ata mendojnë se nuk e kalojnë dot kontrollin e pasurisë dhe figurës, ndërsa ligji i Vettingut u jep të dorëhequrve edhe një shpërblim financiar. Kur kanë mbetur edhe 4 ditë nga afati për dorëzimin e formularëve, “Top Channel” raporton se nga 800 persona që duhet t’i nënshtrohen Vettingut, deri tani formularët janë dorëzuar nga më pak se gjysma, rreth 350.