Morata kushton 60 milionë euro

E ardhmja e Alvaro Morata-s është larg Realit të Madridit. Sipas mediave spanjolle, nëse do të vijë një ofertë që i kënaq kërkesat financiare të klubit, “Los Blancos” janë të gatshëm ta shesin menjëherë sulmuesin. “Diario Goal” transmeton që 24-vjeçari nuk është i lumtur në “Bernabeu” dhe dëshiron të largohet për një tjetër aventurë. Pasi ka mbetur jashtë preferencave të trajnerit Zidane, Reali e ka nxjerrë sërish në merkato, vetëm pak muaj, pasi e ribleu lojtarin nga Juventusi.
Të interesuara për shërbimet e Alvaro Morata-s janë dy gjigantët e Premier League-s angleze, Arsenal e Chelsea. Dy klubet londineze po e monitorojnë me kujdes situatën e sulmuesit dhe janë të gatshme të nisin ankandin. Pengesa më e madhe mbetet çmimi i futbollistit, të cilin presidenti Florentino Perez e ka përcaktuar në vlerën e 60 milionë eurove. Sipas drejtuesve të Realit, skuadra madrilene do të ishte i gatshëm ta shiste menjëherë sulmuesin vetëm në rast të një oferte të tillë.
Në qershor të vitit 2016, klubi mbretëror në Spanjë e ribleu Moratën nga Juventusi, duke paguar detyrimin prej 30 milionë eurosh që ekzistonte në kontratën me kampionët e Italisë.