Kryeministri turk: Bisedimet për Sirinë një “sukses “

Kryeministri i Turqisë, Binali Yildirim tha dje se, bisedimet e paqes për Sirinë në Kazakistan ishin një “sukses i madh diplomatik”.
Turqia, Rusia dhe Irani ndërmjetësuan në Astana dy ditë takimesh mes qeverisë siriane dhe përfaqësuesve të kryengritësve, duke rënë dakord që të monitorojnë një armëpushim të pjesshëm në Siri dhe të mbështesin përpjekjet për të gjetur një zgjidhje politike të konfliktit.
Zoti Yildirim tha se kjo zgjidhje duhet të përfshijë një qeveri të re siriane, e cila të “përfaqësojë të gjitha fraksionet”.
Një pikë kyçe në bisedimet e mëparshme të paqes ka qenë roli që presidenti Bashar al-Assad do të luante në një qeveri të re. Kryengritësit kërkojnë që ai të largohet nga pushteti, por përkrahësit e tij, duke përfshirë edhe Rusinë, duan që ai të qëndrojë.
Në një deklaratë në përfundim të bisedimeve në Astana thuhet se palët duhet të takohen përsëri muajin e ardhshëm në Gjenevë.
Rusia dhe Turqia kishin ftuar SHBA në këto bisedime, por Departamenti i Shtetit tha se administrata e Presidentit Donald Trump ishte tepër e zënë me tranzicionin për të marrë pjesë në to.
Ambasadori amerikan në Kazakistan mori pjesë në bisedime si vëzhgues.