Çao Avokat i Popullit, “mirë se na gjete” Avokat i qeverisë

Erion KRISTO

U dogj edhe një element i demokracisë: Avokati i Popullit. Tashmë, do kemi një avokat të qeverisë. Ose me keq akoma: një avokat të ndërkombëtareve. Defekti i parë i vettingut u shfaq. Prezantimi i djeshëm i kandidatëve ishte një turp. Shtatë minuta për të prezantuar kandidaturat. Ne i lejojmë shumë më tepër studentët, për diplomat.
Prezantimet u bënë në të njëjtën kohë me komisionet qesharake hetimore, ku njerëz qesharakë tallen edhe me himnin e flamurit. Dhe ku deputetë qesharakë lejojnë shakara të tilla. Apo ku deputetë kërcënojnë me varje në litar dëshmitarët. Pra, asnjë transparencë me publikun. E llogaritur kjo më së miri.
Vura re se shumë eksponentë të lartë të mazhorancës apo politikës, kandidonin. Kandidime qesharake. Me urdhër. Njerëz që kurrë nuk kanë lëvizur gishtin për qytetarët.
Procedura e tërë prezantimeve ishte antiligjore. Kjo do ta vendosë personin e emëruar, në një drite të keqe. Ai ose ajo, po e nisin ters, duke shkelur ligjin.
Opozita, e ka shitur Avokatin e Popullit te mazhoranca dhe bën sikur inatoset. Është shumë vonë për estradë. Zaret janë hedhur.
Pra, mungesa e transparencës, procedurat antiligjore, kandidimet qesharake dhe vullneti i munguar politik për t’u dhënë mbrojtje qytetarëve, do prodhojnë një avokat pa avokati.
Kjo do të ndodhë.
Po do ndodhë dhe kjo tjetra: unë si qytetar i kësaj republike, në thonjëza, mund të vendos në mendjen time që të mos e njoh autoritetin moral të këtij institucioni, të mos e mbështes atë dhe ta bojkotoj, apo edhe ta kundërshtoj veprimtarinë e tij. Është e drejtë të mos e pranosh padrejtësinë.
Ciao avokato del po po lo.