Berisha, thirrje Kosovës: Rrëzoni murin në Mitrovicë

“Pesë vite më parë, zyrtari i lartë i një vendi më kryesor në botë më vjen në zyrë dhe më thotë se ne nuk jemi dakort me këto deklaratat e tua kaq të ashpra ndaj serbëve. Në të vërtetë nuk është se nuk ishin, sidomos me qëndrimin e këtij që është ministër i jashtëm. I them, shiko, janë këto arsye që më bëjnë mua të mbajë këtë qëndrim. Jo, më thotë, procesi po ecën dhe është në ecuri të mbarë dhe serbët janë seriozë në këtë proces. Absolutisht, i them, nëse është kështu, sepse s’paskam informacionin e duhur dhe qëndrimet e mia i bazoja në një analizë dhe ato info që kisha, unë e kam mbështetur procesin dhe e mbështes me të vetmin kusht, që të jetë serioz dhe rezultativ. Çfarë del pas kaq vitesh? Absolutisht, Serbia shfrytëzoi dialogun, shfrytëzoi përkëdhelitë për të vazhduar me insistimin më të madh projektin e Serbisë së Madhe. Atyre që u duket çudi kjo, ata s’kanë abc-në e këtij rajoni. Sepse nga një anë, Dodiç bën referendumin për shkëputjen e Bosnjes nga ana tjetër bën të gjithë projektet fillimisht për veriun e Mitrovicës pastaj për të shenjtën e të stërshenjtës Patrikane.
Beogradi këtë periudhë paqeje dhe përpjekjesh serioze të shqiptarëve, thellësisht të interesuar për paqe, përpjekjesh të BE, thellësisht të interesuar për paqe, apo të Aleancës së Atlantikut të Veriut, e shfrytëzoi pabesisht për të projektuar dhe hedhur dhe një herë në treg projektin e Serbisë së Madhe.
Qëndrojmë pak këtu. Pa diskutim që BE si ndërmjetës ka detyrimin më kryesor për imponimin e zbatimit të marrëveshjes, por nga ana tjetër ky është një soft power, i cili nuk është se nuk do, absolutisht do por mundësitë nuk i ka të pakufizuara. Që në fillim kam insistuar që partnerët, krahas BE të jenë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe po ky zotëri që më erdhi e më tha zbute pak atë gjuhë, më tha që ne pavarësisht se zyrtarisht nuk jemi, por ne jemi aty, dhe unë i besova, sepse ai tha një të vërtetë. Ishte Philip Ricker. Dhe ai ishte serioz dhe nuk po gënjente. Po pse tani gjetën momentin ata për të lëshuar këtë nisëm pa doreza? Sigurisht një situatë konjukturore ndërkombëtare mbase u trimëruan nga fakti se, Rusia doli me një rol apo peshë më të madhe nga ç’i takon, për shkak të veprimeve në Siri, në arenën ndërkombëtare. Po nuk është vetëm kjo të jeni të sigurtë, të jemi të sinqertë. Këtu është faktori shqiptar. Faktori shqiptar ka dëshmuar katërcipërisht përcaktimin për paqen, dhe mirë ka bërë, por nga ana tjetër faktori shqiptar duhet të analizonte dhe duhet të analizojë çdo lëvizje të Serbisë, të Beogradit në çdo aspekt, të analizonte qëndrimet e Beogradit ndaj të gjitha marrëveshjeve. Unë po ju jap juve një shembull. Cili është në raport me Tiranën Beogradi? Tirana paraqiti një kërkesë tre vjet më parë, që ishte marrëveshja për njohjen e diplomave. Natyrisht që synimi ynë ishte Presheva, e cila po s’u njohën diplomat ngelen pa shkollë. E premtoi zyrtarisht. A e ka firmosur marrëveshjen? Deri sot jo absolutisht.
Këtu në Parlament kam kritikuar dhe denoncuar në mënyrë të përsëritur qëndrimet e Edi Ramës, jo sepse ai shkoi në Beograd. Unë vet kisha vendosur që të vinin ata përpara këtu, ky vendosi të shkojë vet atje, normal ska asnjë problem. Por mënyra se si shkoi dhe teatraliteti, folklorizmi dhe të gjitha këto, si dhe grandomania, unë kuptova se këtu po shkelmohen interesat e Kosovës në këtë gjë. Aleksandër Vuçiç është kryeministri që Rama ka takuar më shumë në jetën e tij, përveç Papandreut. Çfarë ndodh pas gjithë këtyre takimeve? Niset treni. Diplomatë të huaj më kanë thënë se flitet për një marrëveshje.
Sepse kjo puna e ndarjes, që ta dini, as një muaj kisha që isha bërë kryeministër dhe në samitin e Selanikut, gjatë një dreke Drashkoviçi më thotë “tani Sali të mblidhemi 48 orë dhe e zgjidhim bashkë çështjen e Kosovës”. Unë i them se çdo gjë duhet ta zgjidhni me udhëheqjen e Kosovës. Po të kesh probleme me Shqipërinë, ulemi dhe e diskutojmë bashkë. Qëndrimi im ka qenë i hekurt; qëndrim për ndarje në mënyrë kategorike. U jam mirënjohës Shteteve të Bashkuara, të cilat kundërshtonin në mënyrë të prerë ndarjen. Më kishin pyetur pse je kaq kategorik në ndarje dhe ja u kisha shpjeguar se kjo është një gjë shumë e rrezikshme, edhe për mbarë rajonin. Tre komuna janë ato, apo dy. Të atilla ekzistojnë në çdo shtet. Por ato bëhen në emrin e Serbisë së Madhe dhe isha kategorik.
Tani, hapi i parë që bën ndërton murin. Kush e ndërton murin? Murin në tokën e Kosovës e ka ndërtuar Beogradi. Dhe ju bëj thirrje autoriteteve të Kosovës ta shkatërrojnë një minutë e më parë. Ti dalin zot territorit të tyre të larë me gjak. Atë mur e ndërtoi Beogradi. Muri është projekt i Serbisë së Madhe. Pastaj nxorrën kokën me Haradinajn, në kundërshtim të hapur e flagrant. A e dini ju që Gjykata e Hagës me 300 mln buxhet është ngritur vetëm për Kosovën, për krimet e luftës që supozohet apo që mund të kenë kryer luftëtarët e UÇK-së. Po Shqipëria është shareholder aty, se hetimi nuk është bërë vetëm në Kosovë. Ky Parlament ka votuar një marrëveshje me BE dhe komunitetin ndërkombëtar dhe janë bërë hetime në territorin e Shqipërisë. Tani pasi bën këtë duan të arrestojnë njeriun që ka shkuar burrërisht dy herë në Hagë. Akt ky fund e krye politik dhe një provokim i rëndë për çdo shqiptar.
Dhe e fundit ishte marshi mbi Kosovën. Ai ishte test absolutisht…, me 21 gjuhë e parulla “Kosova është Serbi”…
Nuk kishte qëndrim më ekzistencialist dhe të turpshëm se sa qëndrimi i kreut të ekzekutivit shqiptar. Kreu i ekzekutivit shqiptar, në një moment kur me të vërtetë mund të shpërthente një konflikt dhe një gjakderdhje u fut nën jorgan sikur nuk ishte dhe reagoi 24 orë mbrapa, jo duke i thënë Sandrit atë që meritonte për aktin e tij, por duke i kthyer përgjigje Enverit. Ndaj dhe një diplomat i huaj më thoshte se ka mundësi të ketë një marrëveshje mes tyre. Nuk e di a ka, por fakti që reagoi në këtë mënyrë është absolutisht domethënës. Guxo të sulmosh, por të jesh i bindur se si komb do reagojmë një. Ne u përpoqëm të reagojmë një dhe reaguam deri-diku si një komb edhe në vitet ‘97-‘98. Tani ska forcë në botë që ndalon më shqiptarët të reagojnë si një komb. Nëse ti do të hedhësh në erë një proces paqeje për rajonin, atëherë përgjegjësia është e jotja.
Ne dhe njëherë, ndaj çdo agresioni ndaj shqiptarëve do reagojmë si komb i vetëm. Këtu nuk mund të na ndalë kush në botë. Ne respektojmë kufijtë, procesin e paqes, ne jemi për procesin e paqes, por nëse vini në agresion, do u përgjigjemi me të gjitha mundësitë dhe mjetet tona”, tha Berisha në Parlament.